Reshjet e borës ia lënë radhën ngricave, në Dibër shënohet temperatura -13° C! Hapet bypass i Qafë-Murrizës në rrugën e Arbrit

27 Nëntor 2023, 08:51| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 13:40

  • Share

Bora ka mbuluar fshatrat e qytetet në Dibër, duke dhuruar një panoramë mahnitëse. Reshjet kanë ndaluar këtë të hënë, por temperaturat mbeten të ulëta. Termometri gjatë natës shënoi  -13° në Peshkopi. Bypass i Qafë Murrizës, në Rrugën e Arbrit është i hapur, por duhet treguar kujdes nga akulli në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes.

Po kështu ngrica ka në aksi Peshkopi - Kukës, ndaj drejtuesit e mjeteve duhet te jene te pajisur me zinxhirë.

Rrugët e fshatrave janë të hapura në qarkun e Dibrës, me përjashtim të Lurës e cila është ende në izolim. Energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të territorit. Në ndihmë të elektricisteve te Dibres kane shkuar 3 grupe  nga Kavaja dhe Durrësi, për të përshpejtuar riparimin e defekteve.

Situata është normalizuar edhe në qarkun e Kukësit. Rruga e Kombit është e kalueshme pa zinxhirë. Është punuar nga kompania koncesionare për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.

Te izoluar nga bora janë fshatrat malore Arrën, Zapod dhe Kalis, ku trashësia e borës shkon ne 20 centimetra. Po kështu mungon energjia në Topojan dhe Malzi.

Reshjet e dëborës janë ndërprerë dhe në Korçë, ku të gjitha rrugët nacionale janë të hapura. Dardha e Voskopja, fshatrat që tërheqin me qindra turistë janë të aksueshme me goma dimërore.

Me petkun e bardhë të borës janë veshur dhe fshatrat turistike të Librazhdit, Steblevë dhe Fushë-Studen. Pamje mahnitëse na vijnë dhe nga Ramza, fshat turistik i Malësisë se Madhe, mjaft i vizituar në dimër.

Ora 11:38
Elektricistët në Shishtavec sfidojnë të ftohtin, në krye të detyrës për të riparuar dëmet nga moti i keq

 

Shahin Nela, Durim Haxhia nga Shishtaveci dy elektricistët kanë sfiduar të ftohtin duke qëndruar në krye të detyrës pa orar në shërbim të komunitetit të Njësisë Administrative Shishtavec.

Dreka e tyre ishte jo si ditët e tjera të zakonshme, pas u ulën për të ngrënë në mes të dëborës! Mbrëmja e djeshme ishte një natë me stuhi dhe reshje dëbore intensive dhe temperatura të ulëta gjë që solli edhe probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Por Drejtoria Rajonale e OSHE Kukës angazhoi disa grupe ku ende pa orar po punohet për riparimet. Aktualisht fshatrat e njësisë administrative Shishtavec kane energji.

Ora 11:18
Situata nga bora në Kukës, borëpastrueset në terren për pastrimin e rrugëve

Pas dy ditëve me reshje intensive bore, situata nga moti i keq në Kukës është përmirësuar. Në Kukës borëpastrueset po punojnë për normalizimin e qarkullimit në rrugët e Shishtavecit si dhe në rrugën Kukës-Bishtricë.

Ora 10:40
Reshje dëbore në Llogara, ARRSH: Gjatë natës është punuar për pastrimin dhe kriposjen e rrugës

ARRSH njofton se gjatë natës ka pasur reshje dëbore vetëm në Llogara. Siç bëhet me dije është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Sipas ARRSH-së, qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale.

‘Gjatë orëve të natës dhe në mëngjes reshje dëbore ka pasur vetëm në Llogara ku është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Temperaturat kanë qenë të ulëta, deri në -7 në zonat malore

Grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prezencë dëbore për shpërndarjen e kripës me qëllim evitimin e ngricave. Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale.

Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.’- njofton ARRSH.

Ora 09:43
Në Dibër disa fshatra pa energji elektrike, 3 grupe të OSHE së Kavajës dhe Durrësit u shkojnë në ndihmë! Rrugët e kalueshme me zinxhir

 

Temperatura të acarta kanë përfshirë Dibrën. Termometri gjatë natës ka shënuar vlerat më të ulëta -13°. Në akset rrugore kombëtare nuk ka më dëborë por ka prezencë të akullit, ndaj drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes dhe të përdorin mjetet antirrëshqitëse.

Rruga e Arbrit është e kalueshme, por ka prezencë të akullit në orët e para të mëngjesit dhe të darkës. Mbrëmë është bllokuar sërish për më shumë se një orë, tek Hani, për shkak të ngricave. Prezencë të akullit ka edhe tek pishat e Bulqizës edhe pse rruga është kriposur.

Aksi Peshkopi - Kukës ka prezencë të akullit nga Sllova deri në Vasie, ndaj në orët e para të mëngjesit dhe të darkës duhet të përdoren zinxhirët.

Rrugët e njësive administrative janë hapur, po punohet për rrugën e Lurës,  mjetet e bashkisë kanë nisur hapjen e rrugëve të fshatrave. Energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të territorit, por ka ende njësi administrative dhe fshatra pa energji. Prej dy ditësh kanë punuar 6 grupe të OSHE dhe OST, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe 3 grupe  nga Kavaja dhe Durrësi, për të përshpejtuar riparimin e defekteve të shkaktuar nga moti i keq. Mbrëmjen e djeshme është rikthyer energjia në qytetin e Bulqizës, por ka ende disa njësi administrative pa energji.

Fatmirësisht nga zonat e thella nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore në 24 orët e fundit.

Ora 08:52
Moti i keq, rrugët e bllokuara nga bora në tre fshatra të Mirditës

 

Situata e krijuar nga reshjet e bores në Mirditë ka nisur të përmirësohet. Fshatrat Xhuxhë dhe Lari në Njësinë Administrative Fan dhe si dhe Bardhaj dhe Kthelle e Epërm në njësitë Selitë kanë dalë nga izolimi, falë ndërhyrjes së Fadromave të Bashkisë Mirditë, të cilat kanë bërë të mundur zhbllokimin e rrugëve të këtyre fshatrave.

Ndërsa gjatë kësaj të hëne (27 nëntor) po punohet për hapjen e rrugëve në Njësinë Orosh, për të bërë të mundur lëvizjen e banoreve në fshatrat Ndërshen, Nënshejt dhe Lajthizë.

Emergjenca e krijuar nga moti i keq në Mirditë, vuri menjëherë në lëvizje bashkinë, ku në terren në zonat e thella malore zbriti vetë kryebashkiaku Alber Mëlyshi dhe falë këtij angazhimi situata u përballua me sukses.

Gjithashtu bëhet me dije se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë të mundur riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në pjesën më të madhe të zonave ku kishte probleme.

Ndërkohë temperaturat e ulëta nën zero kanë sjell ngrica gjatë natës, ndaj dhe ju kërkohet banoreve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të sinjalizojnë emergjencat për çdo problematikë që mund të shfaqet.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?