Kreu i SHISH, Helidon Bendo

Situata në rajon e brishtë, kreu i SHISH raport me dyert të mbyllura në Kuvend: Shërbimet e vendeve jo miqësore propagandë dhe disinformim për të destabilizuar

19 Prill 2022, 14:54| Përditesimi: 19 Prill 2022, 16:53

  • Share

Situata në rajonin tonë është e karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Deklaratën e ka bërë sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, në raportin e bërë me dyer të mbyllura.

Bendo ka thënë se mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.

Drejtori i SHISH ka deklaruar se institucioni që ai drejton ka përmbushur detyrat ligjore, ka vijuar me konsolidimin e strukturës së re, ka rritur dinamizmin dhe cilësinë e informimit për autoritetet e larta shtetërore dhe ka rritur shkëmbimin e informacionit me agjencitë ligjzbatuese në nivel qendror e vendor për kundërvënie konkrete e domethënëse.

 “Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik.

Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jo[1]konvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, ka thënë Bendo, sipas një njoftimi në SHISH. 

Drejtori i SHISH-it, Helidon Bendo, nënvizoi se, në vizionin e Shërbimit për të ardhmen, fokusi ka qenë dhe do të jetë forcimi i kapaciteteve operacionale dhe kibernetike, për kundërvënien ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike është kryer duke ndjekur në dinamikë situata mbi kërcënime ndaj infrastrukturave publike dhe private të RSH, duke arritur të identifikojë targetin e kërcënimit, llojin dhe natyrën e sulmit.

Në raportimin para Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Drejtori i SHISH-it, z. Helidon Bendo, vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me SPAK, PP, prokuroritë e rretheve, Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?