'Sistemi i futbollit në Shqipëri është korruptiv', Rudi Vata i uron fat trajnerit të ri: Kombëtarja e ka të vështirë Euro 2024! Armand Duka kumbari dhe bajraktari i FSHF-së

9 Janar 2023, 19:51| Përditesimi: 9 Janar 2023, 22:05

  • Share

Ish-futbollisti dhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Rudi Vata foli për gazetarin Arbër Hitaj në emisionin "Studio Live" në Report TV, lidhur me prezantimin e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare të futbollit. Braziliani Sylvinho doli para mediave sot si tekniku i ri i kuqezinjve, me objektivin që është "Euro 2024". Sipas Vatës, sistemi korruptiv që është ngritur nga organi i futbollit nuk lejon që futbolli të Shqipëri të ecë përpara.

"Kurrë nuk do kemi mundësi që të zgjedhim një trajner të jashtëzakonshëm. Është një trajner i ri që do të bëjë mirë. Nëse sistemi, stafi dhe njerëzit që janë e mbështesin jam i sigurt se do bëjmë një hap përpara. Edhe e kundërta mund të ndodhë, janë emra që kanë bërë mirë në futbollin e luajtur. Tani duan të bëjnë mirë edhe në nivelin e trajningut. Nëse nuk do ketë mentalitet profesionist dhe idetë e tyre nuk janë të kuptueshme për institucionin e futbollit edhe puna e tyre nuk do duket. Nuk bëhet fjalë për kombëtaren e Dukës apo Rudi Vatës, kjo është kombëtarja e shqiptarëve. Çdo gjë e mirë që bëhet është për të mirën tonë në arenën ndërkombëtare", tha fillimisht Rudi Vata.

Më pas ish-kapiteni i Kombëtares foli edhe për bilancin e Edy Rejas në krye të stolit kuqezi, ku sërish tregoi italiani u bë palë me sistemin dhe rezultatet nuk erdhën.

"Ecuria e Edy Reja? Sistemi është i rëndësishëm, ose të çon lart ose të shkatërron. Sistemi këto 20 vitet e fundit, me këta njerëz që ka kanë marrë më të keqen e të këqijave. Mund të ketë fasada por ideja është e rëndësishme. Duhet thënë realiteti. Problemi nuk janë lojtarët, sepse ata janë pjesë e skuadrave evropiane dhe janë rritur me mentalitet evropian. Edy Reja nuk gjeti gjuhën dhe pati konflikte me lojtarët dhe liderin Armando Broja. Nuk ishte një ekip që të bindtte. Nuk u bë kurrë i suksesshëm. Me lojtarët dhe eksperiencën e Rejës, marrëdhënia me sistemin duhet të ishte e ashpër. Ai e la që sistemi ta komandonte dhe dëmi iu bë ekipit. Paraqitja me Anglinë në Wembley na ka ulur shumë nivelin, kjo edhe me trajtimin skandaloz të Brojës. Dolëm me duar bosh në një grup me skuadra që ishin në nivel me ne", tha Vata.

Për Vatën duhen projekte për të nxjerrë trajnerë dhe lojtarë të mirë, pasi shqiptarët janë të aftë.

"Sistemi? Ide, programe dhe njerëz serioz do bëjnë një punë të mirë. Në një sistem nepotik, me qoka dhe pa ndershmëri dhe djersë, aty flitet duke dashur pagesa për të luajtur te moshat, jo të gjithë por i dinë se kush janë matrapazat. Nuk janë mbase liderat kryesor të Federatës, por janë ata që kanë marrë pozicione dhe pse nuk kanë kontribuar në sport. E kanë bërë për përfitime personale dhe nëse flitet për korrupsion, në Shqipëri nuk mund të përjashtohet një gjë e tillë.

Unë kam 32 vite që jam larguar, kam ardhur të punoj dhe kam dështuar sepse njoha sesi ishte sistemi. Mua më shërbeu sepse kuptova kulturën e punës dhe sesa njerëz të vegjël ka në futbollin shqiptar, ata që drejtojnë kanë bërë dëm. Ka shumë talente që nuk patën mundësi për shkak të sistemit. Ose rritesh dhe zhvillohesh ose "vritesh" në këtë sistem dhe kjo e dyta ka ndodhur", vijoi Vata.

Ish-futbollisti kuqezi që jeton prej vitesh në Skoci ka vendosur theksin te trajnerët shqiptarë në ekipin kombëtar.

"Trajner shqiptar? Ka 20 vite që bëhen licencime për trajnerët. Si ka mundësi që nuk piketohen të rinjtë për të ndihmuar një trajner dhe të bëhet gati për ekipin kombëtar. Përgjegjësia dhe krenaria janë të mëdha për një trajner shqiptar. Ky mentaliteti që shqiptarët pranojnë ndërhyrje vjen prej sistemit. Nëse ndërton një trajner dhe e bën gati, një shqiptar do jetë më i ndërgjegjshëm sepse është në pikëpyetje reputacioni i tij dhe i familjes. Nuk kanë asgjë më shumë trajnerët e huaj në ide, është sistemi në Shqipëi që nuk të lë. Mendohet se do ketë ndërhyrje, por kush i lejon? A nuk është sistemi? Trajneri është në optikën e të gjithëve dhe nuk gabon. Është sistemi që bën një gjë të tillë. 20 vite nuk kemi ndërtuar një trajner të rëndësishëm. Astrit Hafizi, Rreli, Birçe, Bajko, Ragami; këta trajnerë kanë arritur rezultate të mira sepse ishte sistemi sportiv që i ndërtoi. Këto 20 vitet e fundit sistemi nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Nuk më shqetëson fakti se mund të bëj shumë njerëz kundër, unë them atë që mendoj me ndershmëri. Unë flas për idetë, duhen zbatuar rregullat e lojës si duhet. Duhen njerëz serioz që kanë vlerat e profesionistit. Kjo vjen me punë dhe jo me lekët që fitohen. Më shqetëson mungesa e sistemit që të jep shpresë për një të ardhme dhe ata futbollistë që duhet të rriten në një vend të mirë dhe jo mos dalin të zotët në jetë", tha Rudi Vata.

Mënyra e zgjedhjes së trajnerit të kombëtares ishte një tjetër temë të cilën e trajtoi Vata.

"Zgjedhja e trajnerit të Kombëtares jashtë vendit? Disa kohë më parë doja të isha në FSHF si president dhe erdha. Kuptova që nuk mund të menaxhoja aspektin administrativ dhe atë teknik njëkohësisht. Unë isha te kjo e dyta dhe nuk mund t'i bëja të gjitha. Ka kritere për grupet e specialistëve që ka ekipi. Nuk di kush është drejtori sportiv ose teknik i FSHF. Duka i ka marrë të gjitha t'i bëjë të gjitha. Pse futet Duka kur nuk e kupton anën teknike? Ka njerëz që në aspektin teknik dinë më shumë por Duka i ka shumëzuar me zero. Duka bën edhe bajraktarin edhe kumbarin edhe menaxherin. Ai nuk ka bërë as dy pasime me topin. Ai thohë "topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj unë". Ai e ka topin të çarë. Trajnerët që erdhën nga Amerika Latine kanë një mentalitet luftarak dhe uroj të bëjnë mirë", tregoi Vata.

Në fund edhe një parashikim për objektivin që FSHF i vendosi trajnerit të kombëtares, Sylvinho.

"Objektivi Euro 2024? Për të dashur të gënjesh njerëzit, kjo bëhet në FSHF. Objektivi Euro 2024 është shumë për t'ia kërkuar. Doja të shihja sesi djemtë si Bajrami dhe Broja do rriten në këtë sistem. Nuk shkohet nga A në ZH menjëherë. Duhet kohë dhe njerëz. Kemi një ekip që dështoi dhe tani duan të kapin majat. Më duket e pamundur duke parë edhe kundërshtarët, nuk janë më të mirët në Europë por janë seriozë. Duhet që shumë gjëra të riparohen në ekipin kombëtar. I uroj fat trajnerëve të rinj dhe lojtarëve. Futbolli është ndjenjë dhe emocion", përfundoi Vata për Report TV.

S.DH//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 09/01/2023 23:14

    A Duka është një baltë krimineli një sojë si Edvin shkjau shqipfolës…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?