Simbolika e Kretës dhe Zeusit
në takimin Greqi-Shqipëri

12 Nëntor 2017, 15:31| Përditesimi:

  • Share
Kanë përfunduar sot bisedimet tre ditore Shqipëri-Greqi në ishullin e Kretës në shtetin helen, në kuadër të diskutimit të të gjitha çështjeve dypalëshe të mbetura pezull mes dy shteteve fqinje gjatë shekullit të fundit.

Dy ministrat e jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias u shfaqën buzagaz për të pozuar në një foto në përfundim të bisedimeve dhe MPJ e Shqipërisë njoftoi se do të ketë një tjetër takim të këtij niveli edhe në Shqipëri, në një datë ende të papërcaktuar.

Kreta simbol i qëndresës

Përveç faktit se në tryezën e bisedimeve çështjet u shtruan të gjitha pa përjashtim, që nga kufiri detar, deri te ligji i luftës, të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri e kështu me radhë, lidhur me rezultatet e arritura, ministri Bushati u shpreh i rezervuar, duke thënë vetëm se ka mirëkuptim dhe janë pranë zgjidhjes disa çështje.  

Por me mbylljen e këtij takimi të rëndësishëm, lidhur me simbolikën e vendit të zgjedhur nga pala greke, pra ishullin e Kretës, mund të vërehen disa elementë interesantë. Përveç faktit që ajo ndodhet mjaft larg Athinës, pra është një vend i qetë turistik, larg syve kureshtarë dhe pa praninë e një numri të madh emigrantësh shqiptarë, Kreta është gjithashtu vendi ku mendohet se ka lindur Zeusi, zoti i zotërve ndërmjet perëndive të Olimpit të mitologjisë greke. Kreta ka qenë ndër të tjera edhe një ndër vatrat e nxehta të qëndresës dhe rebelimit grek ndaj Perandorisë Otomane, që përpara formimit të shtetit grek.

Perëndia ndëshkuese dhe shpërblyese

Lidhur me Zeusin, ata që mbështesin idenë se Zeusi ka lindur në Ishullin e Kretës, pohojnë se Rhea, mamaja e tij e lindi në një shpellë në malin Dikte, ku dy ministrat Bushati e Kotzias pritej të shkonin për ta vizituar. Rhea ia besoi dy vajzave të saj, nimfave Adrásteia dhe Ídç vogëlushin. Por duke qenë se dy vajzat nuk kishin qumësht, i vendosën pranë djepit dhinë Amáltheia, që sapo kishte lindur dy keca, dhe ishte ajo që e ushqeu me qumësht të voglin Zeus. Më vonë, mirënjohës, perëndia i çoi mes yjeve Amáltheian dhe dy kecat e saj.

Ndoshta edhe pala greke pret nga ajo shqiptare bujari të këtij niveli, për ta shpërblyer edhe ajo më pas vendin tonë me dhurata si të Zeusit.

Vetëm se zoti i zotërve në majën e Olimpit, njihet gjithashtu si një i pamëshirshëm dhe ndëshkues, por edhe si një Perëndi që vendoste drejtësinë.

Ndaj paralajmërimet Shqipërisë mund t’i jenë dhënë qartë në rast se gjatë vizitës në ato treva i janë shpjeguar me detaj të gjitha karakteristikat e perëndisë që simbolizohej nga rrufetë dhe bubullimat.

Zeusi për shembull e ktheu Pandareun në statujë për ta ndëshkuar për vjedhjen e qenit të bronzit, i cili, kur Zeusi ishte fëmijë e kishte ruajtur në shpellën e Kretës. Në një rast tjetër Zeusi vrau Salmoneun me një rrufe pasi ishte përpjekur ta imitonte duke u endur me një karocë bronzi dhe duke ulërituar për të imituar zhurmën e bubullimave. Perifin e ktheu në një shqiponjë, pas vdekjes së tij, si shpërblim për faktin që kishte qenë një burrë i ndershëm dhe i drejtë. Një ninfë me emër Chelona refuzoi të merrte pjesë në dasmën mes Zeusit dhe Erës: për ta ndëshkuar Zeusi e ktheu në breshkë. Zeusi dhe Era i kthyen mbretin Emo dhe mbretëreshën Rodope të Trakisë në dy male për t’i ndëshkuar për mënedjemadhësinë e tyre, e kështu me radhë.

Nuk dihet nëse edhe në takimin e Shqipërisë, do të zgjidhet një vend po kaq i rëndësishëm për nga simbolika dhe me kuptim në historinë e vendit nga ana e palës tonë, por në pritje për të parë se cila ka qenë arritja e vërtetë e bisedimeve në Kretë, vendimi i Greqisë për ta zhvilluar këtë takim në vendin e Perëndisë që ndëshkonte me rrufe dhe që i çonte mes yjeve të ndershmit dhe besnikët, me siguri nuk ka qenë një rastësi, por një zgjedhje e kujdesshme dhe e detajuar.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni potestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?