Foto ilustruese

Simbolika, çfarë do të thotë festa e Krishtlindjes për besimtarët e Krishterë! Historia e Pemës së Krishtlindjes

25 Dhjetor 2022, 08:31| Përditesimi: 25 Dhjetor 2022, 08:32

  • Share

Festa e Krishtlindjeve  është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera. Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.

Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

Por përveç anës  spirituale dhe fetare festa e krishtlindjeve vjen në mbarë botën si një nga festat  më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Përgatitjet  për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë.

Megjithatë bota katolike dhe ajo ortodokse duket se kanë disa ndryshime sa i përket riteve fetare. Besimtarët katolikë festojnë vigjiljen e krishtlindjeve gjatë mbrëmjes së datës 24 dhjetor ndërsa sa i përket besimtarëve ortodoksë ceremonia zhvillohet gjatë paradites së datës 25 dhjetor.

Historia e Pemës së Krishtlindjes

Pema e Krishtlindjes është një prani fikse në ditën e Krishtlindjes. Por cila është historia e saj? Si lindi tradita e zbukurimit të pemës së Krishtlindjes? Pastaj; cilët janë llojet e pemëve që përdoren, sa pemë shiten, cilët janë pemët më të larta, më të famshme, më të çuditshme në botë?

Duket se pema e parë e Krishtlindjes është përdorur në Letoni rreth vitit 1500. Por vetëm në vtitin 1841 princi Albert, bashkëshorti i Viktorias, futi në Angli zakonin e përdorimit të pemës së krishtlindjes si zbukurim.

Duke parë përdorimin e madh të këtij elementi dekorativ, ekzistojnë “ferma” të tëra, të cilat kultivojnë pemët e destinuara posaçërisht për festën e Krishtlindjes. Kompania e parë e këtij lloji u krijuan në vitin 1901 në SHBA. Por për çdo pemë të prerë, kultivohen mesatarisht tre të tjera. Pothuajse një milion pemë Krishtlindjesh hidhen në plehra çdo vit vetëm në Londër. As 10% nuk riciklohet.

Përdorimi i pemës së Krishtlindjes me dritat elektrike ishte një ide e Edward Johnson në vitin 1882, që ishte asistent i Thomas Edison. Për sa i përket lartësisë, pema e Krishtlindjes më e lartë në botë është ajo e Vatikanit, në sheshin e Shën Pjetrit, me një gjatësi prej 30 metra.

Ora 11:02
Vazhdojmë të lindim, kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes

Në historinë e krishterë, lindja e Jezusit sjell mrekullinë e mishërimit: Zoti e bën veten plotësisht njerëzor duke marrë pamjen e një fëmije të pafuqishëm. Por diçka e mrekullueshme ndodh në të vërtetë në çdo lindje. Në fakt, ne duhet të mësojmë të shohim në çdo lindje, si një premtim për të shpëtuar botën nga brutaliteti dhe dhuna e vdekjes. Lindja nuk është thjesht një ngjarje natyrore që i përgjigjet ligjeve universale të jetës.

Mrekullia e lindjes është ajo ngjarje shumë e veçantë që e bën jetën unike, që në momentin e frymëmarrjes së parë. Festa e saj është festa që shenjtëron fillimin: në lindjen e një fëmije bota rilind çdo herë. Në sytë e prindërve të fëmijës, të njëjtat gjëra nuk do të jenë më si më parë, bota siç e njihnim më parë ndryshon kuptimin e vet. Gjithçka mbetet, në realitet, si më parë, por në fakt asgjë nuk është si më parë. Çdo lindje (qoftë edhe ajo e një dashurie, miqësie apo pasioni) rinovon kështu mrekullinë e krijimit të botës, zgjat gjenezën e saj.

Ndodh edhe në krijimin e veprave të artit. Duke sjellë në jetë një vepër, artisti nuk kufizohet në përfaqësimin e një bote që tashmë ekziston, por sjell një botë të re. Në këtë kuptim, në çdo lindje, mrekullia – e shkëlqyer dhe mizore – e jetës përtërihet. Në të vërtetë, drita e lindjes nuk mund të ndahet kurrë nga fati i vdekshëm që ajo imponon. Jeta del nga errësira, nga gjaku, nga zorrët, nga hija, nga balta. Ajo vjen në botë vetëm përmes britmës së pafuqisë së vet absolute, duke filluar të vdesë me frymën e parë.

Nuk është rastësi që qeniet njerëzore mund të ndihen thellë-thellë të tërhequr nga rrënojat, nga mbetjet që nuk duan të vdesin dhe që vazhdojnë të jetojnë, edhe kundër pashmangshmërisë së kohës. Poetika tashmë klasike e Giorgio Morandi-t, ashtu si edhe ajo bashkëkohore e Anselm Kiefer-it, kremtojnë në mënyrë të jashtëzakonshme dimensionin iluminues të asaj që mbetet, të asaj që nuk dëshiron të vdesë, të asaj që dëshiron të vazhdojë të lindë.

Është kjo, edhe një temë e madhe biblike: shpëtimi gjendet gjithmonë në atë që mbetet, në një “gjë që mbetet e që do të kthehet”, siç deklaron Isaia. Në Noen e “drejtë” apo në Moisiun e vogël të shpëtuar nga ujërat, në Jezusin e ngritur nga errësira e varrit. Ato janë imazhe të thella të lindjes që përsëriten përmes vdekjes. Nuk është rastësi që në gjuhën hebraike fjala sheerìt, që do të thotë pushim, përbëhet nga të njëjtat shkronja (reshìt) që do të thotë “fillim”. Sepse, siç na kujtonte Hannah Arendt, qeniet njerëzore nuk janë krijuar për të vdekur, por për të lindur pafundësisht.

Goditjet traumatike të pandemisë dhe luftës kanë treguar natyrën e zymtë të fuqisë së vdekjes. Jeta dukej se shembej, duke iu dorëzuar dhunës së pakontrollueshme të së keqes. Por të kremtosh mrekullinë e lindjes së Krishtit sot do të thotë të pranosh se jeta nuk i dorëzohet asaj fuqie. Ne jemi përgjegjës edhe për lindjen tonë, thoshte në mënyrë paradoksale Sartri. Por si mund të jetë? Kërkohet një “Po!”, edhe për të lindur. Është e nevojshme t’i thuash “Po!” jetës, për të jetuar.

Kjo do të thotë se sa herë që jeta i thotë “Po!” jetës, ajo mund të përjetojë lindjen. Ringjallja nuk është një ngjarje e jashtëzakonshme që ndodh në fund të jetës, por mund të ndodhë çdo ditë. Kjo është ajo që Nietzsche sheh të shfaqet në misterin e kthimit të përjetshëm të të barabartëve: është e nevojshme t’i thuhet një “Po” e madhe jetës, që ky rikthim – përsëritja e paepur e kohës që na gllabëron – të mos shfaqet si një peshë shtypëse, por si rezultat i vendimit tonë, i vullnetit tonë: “Po! Unë ende dua të lind! Unë ende dua jetën me shkëlqimin dhe mizoritë e saj! Unë dua që të përsëritet përsëri, përsëri si sot dhe si ka ndodhur gjatë gjithë kohës!

Mrekullia e lindjes është, pra, mrekullia e së resë që ndodh në të njëjtën hapsirë. Në përsëritjen uniforme të jetës që na konsumon, lindja është ajo prerje që rihap jetën brenda jetës. Është “Po!”-ja që fiton mbi “Jo!”-në. Është pohimi që fiton mbi tundimin ndaj mohimit nihilist: “gjithçka është e kotë, çdo gjë është e kotë”, siç i thoshte i dorëzuar Shopenhaueri, Zarathustras së Niçes.

“Po!”-ja e lindjes që rinovohet këmbëngul të tregojë se jo gjithçka është vdekje, se vdekja nuk është fjala e fundit për jetën, se jo gjithçka është e kotë, se jo gjithçka është e pavlerë. Ata që u kanë dhënë frymë pacientëve me Covid e dinë mirë, protagonistët heroikë të rezistencës ukrainase që mbrojnë dinjitetin e jetës së tyre dhe lirinë e tokës së tyre përballë pushtuesit, e dinë mirë, siç e dinë mirë gratë dhe populli iranian që pretendojnë të drejtën për të rilindur, më në fund të lirë nga shtypja e një Ligji të çmendur që vepron jo në emër të jetës, por në emër të zymtësisë së vdekjes. / Massimo Recalcati – Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 25/12/2022 11:58

    Pa dashur të bëj polemika, mendoj që domethënia e Krishtlindjes është e qartë dhe fare lehtë e vërtetueshme. Është thjeshtë një festë pagane që është huazuar nga të krishterët. Dhe festa i kushtohet ringritjes së Diellit, dikur Zoti në popujt paganë, nga pika më e ulët në horizont e cila është solstici dimëror më dt 21. Dhe pas 3 ditësh rifillon ngritja nga pika më e ulët dhe si rrjedhojë zgjatja e ditës dhe shkurtimi i natës në hemisferën veriore. Për t'u rikthyer tek nr 3 që është dhe nr perfekt përsëri e huazuar nga cikli diellor. Në çdo solstic apo ekuinoks, ndodh proçesi 3 ditor. Dhe fetë për të patur sa më shumë përkrahje në popujt paganë, "u vodhën" festat dhe i emërtuan me emrat e personazheve të tyre kulturor e fetarë. Gjths Gëzuar Krishtlindjen, dhe për adhuruesit e Diellit Gëzuar ditën e rilindjes së Diellit.. Pa Diell nuk ka jetë në Tokë.

    Përgjigju
    • @Sunny tirana: 26/12/2022 04:29

      Kulti ose feja e Diellit ishte fe e mirefillte Ilire. Pasardhese e kultit te drites! Mos harro…Iliria dmth Ili (ylli) ria (toka e). Ne afrike dhe lindje te mesme, si edhe sot, adhurohej hena.

    • Clsh: 26/12/2022 04:24

      @Lui, Pikerisht ajo eshte. Krishteria eshte vazhdimesi e fese se Diellit qe kishin te paret tane dhe emri i atdheut tone Ili Ria (Toka e diellit). Konstantini i Madh e beri Krishterine fe te perandorise dhe ai ishte Ilir, nga Nishi i Dardanise. Krishtlindjet jane kur fillon dhe zgjatet dita, ndersa pashket jane ne pranvere (ekuinoksi i pranveres) qe feston diten me te gjate te vitit, ose sic quhej….Lavdia e Diellit dhe e drites ndaj erresires.

    • Sunny tirana: 25/12/2022 13:29

      E vertet. Perendia Diell ka qene me e adhurueshmja, nga egjyptianet, asirianet etj. Me te lidhej ardhja e pranveres, kur rilindte jeta, vera kur korrej gruri etj. Rreth 21 dhjetorit, sipas astronomise, dielli nis kalimin nga hemisfera jugore ne ate veriore. Eshte koha kur ai perfundon procesi i uljes dhe nis ngritjen. Shkenca e quan solstici dimeror. Pas tre muajsh, ne mars, dielli mbrin piken kur dita barazohet me naten. Quhet dhe ekuinoksi pranveror. Prandaj festat fetare ndodhin ne dhjetor dhe ne mars. Eshte barazuar lindja e perendise Diell me ate te Krishtit.

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?