Belind Këlliçi

Ilir Yzeiri: Si të ndërtojmë një poster elektoral

29 Prill 2023, 19:39| Përditesimi: 29 Prill 2023, 19:45

  • Share

Posteri i kandidadatit të një  koalicioni që u vendos në rrugët e qytetit të Tiranës në vendet e reklamave e që më pas u hoq, mori me vetë zemërimin e një pjese qytetarësh, të institucioneve të kultit dhe të shoqatës së psikologëve të Shqipërisë. Ai poster ishte ndërtuar me portretin e prerë në mesin e hundës të kandidatit për kryetar bashkie për Tiranën i cili kishte ngritur dy duart lart  dhe me fytyrën e buzëqeshur bënte shenjën që në gjuhën e komunikimit të shenjave të gishtave quhet « Gishti i mesit ». Ai gjest shoqërohej edhe me një tekst që shpjegontë përmbajtjen e « gishtit të mesit » : « Duart e … kështu i drejtohen kurrupsionit në Tiranë ». Ngjyrat pranverore ku spikat jeshilja e hapur, bluja, e kuqja dhe e zeza, sytë e qeshur të kandidatit që ngre duart lart dhe bën gjestin e « gishtit të mesit » nuk kanë asnjë gjë armiqësore. Të duket si një gjë për të qeshur, si një « gallatë » të rinjsh. 

Ajo fytyrë në atë poster mund të të shfaqet në një semafor apo në një film ku personazhi iks e çon prapa diellit atë që ka inat. Nëse futesh në internet mund të gjesh ilustrime të kësaj shenje që janë gjithë humor. Në njërën prej tyre lepuri i ngre gishtin e mesit karrotës, sepse ajo thotë që lepuri është mishërimi i plotë i së keqes. Pra, autorët e atij posteri, në pamje të parë, kanë dashur të sjellin këtë atmosferë e cila, sipas asaj që është paraqitur aty, do të thotë që duart e kandidatit të x koalicion i tregojnë gishtin e mesit  korrupsionit në Tiranë, ashtu si lepuri që i tregon karrotës gishtin e mesit. Mirëpo këtu me dashje ose nga padija, është ngatërruar mesazhi. 

Pse ? Nëse e shohim gjithë posterin si një tekst, atëhere thënia mbi të cilën ngrihet teksti, siç dihet është një akt ilokutuar, pra atë thënie e ka hartuar një autor, e shpreh folësi dhe ia adreson bashkëfolësit dhe përmes tij publikut. Nuk është e vërtetë që folësi, pra kandidati, do t’i tregojë gishtin e mesit korrupsionit. Ai gjest që bën kandidati vjen pas një provokimi, pra, rëndom gjesti i gishtit të mesit është reaksion nuk është aksion. Në shembullin e lepurit me karrotën, është karrota që flet e para dhe  thotë se lepuri është qënia më e keqe në botë. Pra, si të thuash, karrota e provokon dhe lepuri i tregon gishtin e mesit. Edhe në këtë rast, korrupsioni i Tiranës duket e ka provokuar kandidatin tonë, por nuk e dimë se çfarë i ka thënë dhe ky i ngre dy gishtat e mesit. 

Pra, kandidati ynë mbrohet në këtë rast. Nuk është ky që e « nis sherrin », është korrupsioni dhe ky i përgjigjet. Kështu lexohet ai tekst i vendosur në atë poster. Pra, mesazhi i atij posteri është krejtësisht i kundërt me qëllimin e folësit. Gjesti i « gishtit të mesit », në këtë rast, është një formë talljeje, një shaka, me atë që shkruhet në poster. Ndaj nuk duhet marrë seriozisht. Ajo që është e papranueshme dhe që tregon një rënie stili dhe një fyerje për publikun është keqpërdorimi i hapësirës publike në fushatë elektorale. Gjestet e « gishti të mesit » janë të kufizuara në hapësirë dhe nuk mund të përdoren si paraqitje zyrtare e imazhit të një kandidati çfarëdo në kushtet kur gara elektorale dhe paraqitja e posterave duhet të përmbajë rreptësisht kufizimin që shkakton komunikimi publik, sipas kushtetutës dhe ligjit elektoral. Në të gjitha manualet teorike të zgjedhjeve posterat elektorale përmbajnë të paktën tre elemente : imazh i qartë, tekst i shkurtër që të përfshijë thelbin e programit politik dhe respekt për publikun.

Transferimi i një mesazhi nga një kontekst satirik në kontekstin e një fushate politike duke përzgjedhur nga shenjat e gishtave atë më pornografiken siç është « gishti i mesit », në rastin më të mirë, e paraqet kandidatin si përfaqësuse të një turbo- partie, nga ato anarkike, super të majta sipas modelit europian dhe jo një forcë e djathtë e cila, të paktën formalisht, përpiqet të ruajë normat e jetës klasike që përmblidhen veç të tjerash në kodin e lartë sjelljes dhe komunikimit. Nëse do të b¨jmë pak histori, këtë poster e ka përdorur një komedian francez me emrin Kolysh. Ai cili ndërtoi një poster me gishtin e mesit, po nuk e bëri publik. Në vitin 1980 në një konferencë shtypi në Teatrin e Komedisë Franceze, Kolysh gjithë duke u tallur dhe me cinizëm, shpalli kandidaturën e tij për president të Francës. 

Ai nuk e mori seriozisht madje po tallej, por sondazhet që organizoi revista satirike Sharly Hebdo e nxorën 16% .Në thirrjen e tij elektorale thuhej : « Ju bëj thirrje dembelëve, të droguarve, alkoolikëve pederastavë, grave, parazitëve të rinj e të vjetër, të çmendurëve, arabëve, francezëve, atyre me shkollë dhe injorantëve, artistëve të rrugës dhe të dështuarve, komunistëve, të zinjve të bardhëve gjithë atyre që nuk i llogarit njeri për qënie politike që të më votojnë mua në mënyrë që bashkë me mua … « foutre ….au cul »(është një sharje në frëngjisht). Po nga e ka origjinën kjo shenjë ? Origjina e saj është e paqartë, por shumica mendon se ajo vjen nga Roma antike dhe quhej « digitus impudicus » gishti i turpit dhe ai i imiton ashtu organin mashkullor. 

T’i bësh dikujt këtë shenjë do të thotë që ai është një penis ose më saktë t’i tregosh dikujt imitimin e penisit. Kështu, posteri i kandidatit të një koalicioni që merr pjesë në zgjedhje e identifikon një entitet abstrakt siç është korrupsioni i Tiranës me organin mashkullor. Tani ajo që nuk kuptohet është kjo : çfarë i ka thënë Korrupsioni këtij kandidatit që ky duke qeshur ngre gishtin e mesit ? Kaq mendoj unë mund të diskutohet, të tjerat do ia ngrinin vlerën më shumë se ç’duhet atij që përdor gishtin e mesit në një fushatë elektorale.

*Komenti i emisionit ADN

Poteri i Këlliçit

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?