Si të mbajmë trupin sa më të hidratuar në këto ditë të nxehta? Ylli Merja rekomandon hidratimin e shëndetshëm përmes çajrave bimore

17 Korrik 2023, 13:54| Përditesimi: 17 Korrik 2023, 14:10

  • Share

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për hidratimin sa më të shëndetshëm përmes çajrave bimore në sezonin veror.

Hidratimi është tepër i rëndësishëm në ditët e nxehta të verës. Alternativat industriale për freski janë të mbushura me sheqerna dhe substanca që më shumë bëjnë dëm në organizëm. Zgjidhja më e mirë qëndron tek çajrat e ftohtë bimorë, të cilët jo vetëm që e freskojnë organizmin por edhe e pajisin me vitamina dhe minerale. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja rekomandon një sërë bimësh të cilat jo vetëm ndihmojnë në nxjerrjen e nxehtësisë nga organizmi, por gjithashtu freskojnë trupin dhe përthajnë lagështirën e tepërt.

Këto bimë të kombinuara në formën e një çaji, përveçse mbajnë trupin të hidratuar vijnë në ndihmë dhe për një sërë problematikash të tjera në organizëm.

·        Çaj me fruta pylli, çaj të gjelbër dhe borzilok, i cili shuan etjen dhe nxit dobësimin: Në 2 litra ujë hedhim 200 gr fruta pylli, 3 lugë gjelle çaj të gjelbër dhe 2 degë borzilok ose 1 dorë petale trëndafili. Lihet 12-14 orë dhe më pas konsumohet 2-3 gota në ditë ëmbëlsuar me pak mjaltë.

·        Çaj me kamomil, borzilok, sherebel dhe mendër, i cili ndihmon tretjen dhe gjumin e qetë: Në 2 litra ujë të ngrohtë hedhim 2 lugë gjelle kamomil, 2 degë borzilok, 2-3 degë mendër dhe 1 dorë sherebel. Lihet 12-14 orë dhe konsumohet 2-3 gota në ditë sipas dëshirës ëmbëlsuar me pak mjaltë.

·        Çaj i ftohtë me mente, dëllinjë dhe trëndafil, i cili shuan etjen si dhe ndihmon në luftimin e infeksioneve urinare: Në 2 litra ujë të nxehtë hedhim 100 gr dëllinjë, 150 gr trëndafil të egër, 3-4 degë mente dhe 30-40 gr boronicë. Pini 2-3 gota çaj të ftohtë në ditë ëmbëlsuar me pak mjaltë.

·        Çaj me xhinxhër, mente dhe propolis, i cili ndihmon në zbutjen e fytit si dhe pastron ngjirjet e zërit: Në 05.litra ujë hedhim 20 pika propolis me rigon, 2-3 gjethe mente, 2-3 degë borzilok, 2-3 copa xhinxhër.

·        Çaj me murriz, fruta pylli dhe gjethe nespulle, përmirëson punën e zemrës dhe ndihmon në uljen e kolesterolit: Në 2 litra ujë të nxehtë hedhim 100 gr murriz frut, 200 gr fruta pylli, 4-5 gjethe nespulle, 3-4 lugë gjelle uthull molle. Pini 2-3 gota në ditë ëmbëlsuar me pak mjaltë.  

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?