Faik Konica ne seline e tij ne hotel Mayflower ne Uashington, 1939

Si përherë, edhe këtë verë, na vjen në ndihmë Faik Konica

15 Korrik 2023, 15:35| Përditesimi: 15 Korrik 2023, 15:55

  • Share

Ndërsa ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën edhe këtë stinë të nxehtë në Shqipëri, ku “xhelatët” kthehen në viktima e viktimat në “xhelatë” sa hap e mbyll sytë, ku hakmarrja për njeriun e fuqishëm, sa është në pushtet, djeg si zjarri, ndërsa keqardhja e lotët, sapo ikën nga pushteti, merr dhenë, mjafton të lexojmë e rilexojmë Faik Konicën dhe ç’është shkruar për të dhe prej tij.

Në librin e vlefshëm të Ilir Ikonomit “Faik Konica -  Jeta në Uashington” sillen fakte dhe dëshmi të jashtëzakonshme për jetën e tij në SHBA dhe lidhjet me Shqipërinë. Që ishte më i mençuri, më i dituri, as nuk bëhet fjalë. Faik Konica ishte nga ata burra që i kalojnë njëherë në 300 vite Shqipërisë, por, edhe pse thumbonte gjithë dynjanë, edhe vetë ai nuk ishte pa vese, dëshira e zili. Apo nuk i pëlqente luksi! Edhe pse përfaqësoi në Uashington vendin më të varfër e të pazhvilluar të Evropës, shtëpinë e tij si ministër i Zogut në Amerikë dhe selinë e përfaqësisë e zgjodhi në MyFlower, hotelin më të shtrenjtë dhe më të ri të Amerikës së 1930-ës dhe paratë, dihet, i pretendonte pa kursim. Dhe... nëse nuk ja dërgonin... Dielli i Vatrës mbushej me re, bubullima, shkrepëtima siç dinte vetëm ai.

E megjithatë ngjarjet shqiptare, në çdo kohë e hapsirë që të ndodhin, duket se i pari i kuptoi e i përshkroi ai, si në këtë paraqitje të kabinetit të Mbretit Zog të sapofronizuar. Ja ç’shkruan Dielli i 1930-s, pas kthimit të Konicës nga një udhëtim disa mujor në Shqipëri, ku Mbreti Zog (të cilin e pat masakruar me dhjetëra e dhjetëra shkrime denigruese para se t’i jepte ofiqin e përfaqësuesit të Shqipërisë në Uashington, nuk cënohej), por të gjithë bashkëpunëtorët e tij që nga kryeministri Koço Kotta, ministra e të gjithë me radhë ishin më keq se dallkaukë. Nuk shpëtonte asnjë!

Ja përshkrimi i “Diellit” kur Konica ishte President nderi i Vatrës dhe përfaqësues i Shqipërisë në Uashington, ndaj Koço Kottes, ish-kryeministër i Shqipërisë.

“... Pas dorëheqjes, kur Kotta u kthye në Korçë, atij iu bë një pritje madhështore dhe ata që folën në tubim e quajtën “udhëheqësi më popullor i kombit”. Dielli iu përgjigj se “sado të përpiqeshin ato gazeta të mbronin pjatalarësin e Brocktonit (Kotten), nuk mund t’i fshihnin dot pjatat e tij të ndotura”.

“Pjatat e ndotura” ishin korrupsioni. Koço Kotta, shkruan Dielli “ka blerë dy çifligje nga tri mijë napolona secilin, po bën një hotel në Tiranë, i cili do të kushtojë nëntë mijë napolona, ka aksione në disa shoqëri tregtare që veprojnë në Shqipëri dhe të gjitha këto i ka fituar në një kohë fare të shkurtër me një rrogë kryeministri që thuhet se nuk është më tepër se njëqind e pesëdhjetë dollarë në muaj... Kur hipi në fuqi Koço Kotta ishte aq i vobektë sa s’kish para të blejë një palë këpucë. Në qoftë se kjo është e vërtetë, ahere nga i nxori tërë këto mijë napolona Koço Kotta në një periudhë pesëvjetësh”? shkruan °Dielli” në tetor të 1930-s.

Pasioni shqiptar për paranë dhe sidomos luksin duket i hershëm dhe i qëndrueshëm dhe mënyrat për ta arritur këtë qëllim janë nga më të ndryshmet. Politikanët kanë rrugët e tyre, gazetarët të tyret, biznesmenët dihet, krimi... po ashtu, por edhe kush, në këto ditë vape dhe vere ankohet se në Jug të Shqipërisë ka vetëm hotele me nga 300 a 500 euro nata, do të thotë se atyre me nga 30, 50 apo 80 euro, as nuk ja hedh... sytë!

 

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?