Si erdhi “Nata e
Gjatë në Muze”

29 Nëntor 2013, 06:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Galeria Kombëtare e Arteve i bashkohet për herë të parë 120 qyteteve evropiane të cilët kanë tashmë traditën “Nata e Muzeve” e praktikuar që nga viti 1997. Për “Natën e Bardhë” vizitorët në Galerinë e Arteve do kenë mundësi të shikojnë falas ekspozitat dhe shfaqje të tjera. Ndwrsa sot “Nata e Bardhë” vjen gratis për të gjithë në Galerinë Kombëtare të Arteve, mësojmë se ideja e një muzeu të hapur ka nisur si projekt i drejtorit të ri të Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabanit, i cili ka rrëfyer për Shqiptarja.com edhe vizionin e tij.     
 
Mësojmë se muzeu i hapur është një nga projektet që ka nisur nga ju, sapo morët postin e drejtorit të GKA-së. Çfarë përmban thelbi i këtij projekti?  
-Ideja është që artisti të afrohet sa më shumë me publikun. Përveç kthimit të natës së gjatë të muzeumeve, kam menduar më herët që një e shtunë e çdo muaji të jetë në Galerinë Kombëtare dita e kulturës dedikuar familjeve shqiptare, që kur ato të vijnë për të parë ekspozita të mos paguajnë. Është një traditë që e kam parë në shumë shtete të tjera të botës, dhe mendoj ‘Pse të mos e kemi dhe ne një ditë të tillë?’.

Galeria Kombëtare duhet të jetë më e afërt për shqiptarët, dhe nuk duhet të jetë thjesht një godinë e akullt ku ruhen dhe ekspozohen vepra të artit pamor. Ajo duhet të prezantojë një realitet të gjallë dhe të prekshëm nga publiku i të gjitha moshave, dhe aq më tepër nga brezat e rinj, të cilëve u shërben për edukimin artistik dhe estetik. Dhe ky realitet kërkon shumë punë për ta çuar në vizionin që kemi planifikuar e që duhet aplikuar konkretisht në mjediset e Galerisë. Në thelb puna jonë do të konsistojë te marrëdhëniet me publikun, ku marrin prioritet programet e edukimit dhe të familjes, të cilat realizohen përmes veprës së arteve pamore, një mision që ka munguar deri më sot në Galerinë Kombëtare.
 
Për përvjetorin e 101-të të Pavarësisë, çfarë gjërash specifike keni programuar?
-Ajo që dua të them është se ky 101 vjetor na ka nxitur që të kontribuojmë në maksimum. Vëmendja jonë ka qenë tek rritja e cilësisë së aktivisteve. Po ashtu edhe vëmendja e ministres së Kulturës dhe vizioni i kryeministrit Edi Rama. Kemi diskutuar jo pak herë që e rëndësishme është të mos bëhen projekte të sajuara, por të mirëplanifikuara, ku marrin pjesë të gjithë aktorët përkatës, ku respektohen të gjitha fushat dhe kontribuuesit e kohëve historike. Në këtë mënyrë, piktura, skulptura, videoarti, arti alternativ, muzika dhe festa shqiptare do të jenë të prekshme si për ata persona që vijnë për herë të parë në të tilla ngjarje, por dhe për turistët të cilët do të njihen më nga afër më kulturën tonë kombëtare.

Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?