Si do e ndihmonte Kadareja
Lasgushin, për pension

16 Tetor 2012, 15:36| Përditesimi:

  • Share
Vajza e Lasgush Poradecit, Maria Gusho, me botimin e librit “Korrespodencë Lasgush Poradeci Asdreni” e ka plotësuar arsenalin e bollshëm të letrave dhe korrespodencave mes dy poetëve edhe me disa pjesë të zgjedhura nga ditari i Lagush Pogradecit që lidhen me rivarrimin e tij në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Ceremonia bëhet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Lasgushi fatmirësisht është aty i pranishëm.

Kjo nuk do ta zëvendësojë dot faktin që nuk e dërguan në Bukuresht t’i merrte me dorën e tij eshtrat e Asdrenit, por është i lumtur megjithatë që ka takuar mbesat. Edhe këto pak radhë ditari na zbulojnë njëherësh, lënien në mjerim të poetit, privimet, por edhe krenarinë e tij fisnike. Një bisedë e zhvilluar mes tij dhe Ismail Kadaresë nuk ka nevojë për koment:

(PJESË NGA DITARI I LASGUSH PORADECIT)

TIRANË, E HËNË 17 PRILL 1972
Ora 5 u festua 100 vjetori i lindjes së Asdrenit, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kishin ardhur prej Bukureshti të dyja mbesat e Asdrenit, të cilat i vumë në presidiumin e Mbledhjes. E madhja kur u takua në sallë pas mbarimit të jubileut, më përqafoi me shumë dashuri dyke thënë: “dal t’ju puth!” dhe më puthi në të dy faqet tri herë, dhe unë gjithashtu e putha në të dy faqet. Ajo është shumë me ndjenja, shumë shpirtëmbël, nuk u martua.

E vogla mbi të tridhjetat, shumë elegante nga trupi dhe veshja, e martuar, shumë e kulturuar, pinte dhe cigare me liri Budën si dhe Lirija kur ishte bashkë me mua, dhe Liri Buda më foli ajo e para, duke pirë cigaren e duhanit, fluturake gjithnjë fluturake siç ka qenë. Vasilika, mbesa më e vogël e Asdrenit, kënaqej shumë me fjalosjen e Lirijes. Elena më tha, se skicën që i bëra Asdrenit kur hëngrëm njëherë drekë në Bukuresht në restorantin e një shqiptari, (si miq) ajo e ka në murë në kornizë bashkë me portretin tim dhe të Asdrenit. Në sallë ishte edhe Niqi, por me ne nuk ish. Nuk ishte e prishur, e ndryshuar, ballin dhe pjesën e poshtme të faqes së mëngjër që e shikoja unë dhe hundën dhe vetullën s’I kishte fare të prishura, i kish të freskëta si më parë, po vetëm pjesa e faqes së poshtme, midis faqes dhe gushës ku e puthja unë me aq ëndje m’u duke se i qe prishur dhe më ardhi keq për këtë prishje. Edhe vetullën e kish të bukur si më parë, të paprishur, të pandryshuar, ashtu siç e ka ajo vetullën të bukur siç ëshët ajo vetullushe, me vetullën krejt horizontale pranë syrit, që iu jep aq bukur dhe hije të bukur syve. Niqi ish një sërë më pranë se unë, në front në të djathtën t’ime, nja tre katër metra larg meje, para meje, në të djathtën time.

Nja 3-4 metra larg meje, përpara meje në të djathtë time.
Kur dualëm nga Mbledhja, von, shumë von, ora 8,15’, kur të dy mbesat e Asdrenit po shkonin (me veturat që prisnin) për në Hotel “Dajti”, Ismail Kadareja m’u afrua dhe tha se do të festojmë. “Ç’më duhet festimi” I thashë “Stambolli digjet dhe zonja krihet. Unë jam në mizerje, s’ushqej dot fëmijët, 17 vjet s’po ble dot një kapellë, po mundohem të fut në punë çupkën time 15-vjeçare që të punojë edhe ajo 8-orshin e saj që të ushqehet, që të ushqehemi-unë jam në mizerje dhe ju më thoni për festim…” Ay m’u përgjegj: I kemi dërguar propozim ne (Lidhja e Shkrimtarëve) (nuk di s’e vura re mirë kujt I paskan dërguar) që t’ju japin rrogë? (Nuk vura re mirë çfarë tha), po presim përgjigje…”Presim” I thashë ç’po “presim”, “pret kali të mbijë bar? Gomari pret”, I thashë, “Kali që është kal e at nuk pret”. Kjo pra që më tha Ismail Kadareja qenka ajo që më tha ay Thnasi mbudhë kur isha me Sotir Gallanin më 3 Janar 1972 për “pension”. Po sikundër më tha Sotiri, kështu është edhe kjo e Kadaresë, fjalë janë fjalë, vetëm ç’ke në dorë është reale”.

KOMENT
Shumë flasin këtu, këta që më “duan”, po ç’bëjmë, ç’flasin, s’e arrijmë dot atë që flasin…Edhe parvjet më tha Dhimitrë Pilika se “99 për qind”, siç kishin folur, vendosur në Universitet, në institutin e Historisë dhe Filologjisë ku është drejtor Androkli Kostallari (I cili shumë më do) do më dhënkeshin mua një rrogë, një pension a nuk di ç’far, më vonë thanë edhe të tjerë. Këta përveç Pilikës, Thanasit, Kadaresë, Foto Stamos asgjë s’bëjnë, duket se s’mund të bëjën gjë dot. Të shohim, është “interesante” të shohim si do vejë kjo gjë, kjo punë, ky “interesim” për Lasgushin. Sigurisht që s’do bëhet gjë, asgjë, sepse, që të bëhet një gjë duhet t’a bësh atë gjë, t’a bësh dhe jot a lësh të persësh që të bëhet, domethënë që të mos bëhet kurrë dhe kurrën e kurrës. Sic transiti.

TIRANË 6.10.1973:
Aleksandër Stavre Drenova (Asdren). Dy mbesat e Asdrenit: Olimpia dhe Helena Dragan.
Kur Hyra në salllën e Lidhjes së Shkrimtarëve ku ish ministri i Arësimit Thoma Deliana, Ramiz Alija i Byrosë së Komitetit Central dhe Inteligjenca e lartë Olimbia sbriti menjëherë nga podiumi i Prezidiumit ardhi më puthi në gojë duke m’a marë kokën nër duar e saj-ata thanë paska qenë mbesa e Asdrenit në Bukuresht amanta e Lasgushit.
Vajta të piqem me Olimbinë në Hotel Dajti në dhomë të saj, po s’më lanë, më thanë është “është e ndaluar” dhe më ardhi keq fort.
Lasgush

(su.fu/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?