Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

26 Prill, 07:56| Përditesimi: 26 Prill, 08:00

  • Share

Votimi në OKB për një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet më 2 maj. Kështu deklaroi ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Lagumxhija për televizonin N1.

“Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e OKB-së kanë propozime të tjera për tekstin. Asambleja e Përgjithshme me gjasë do të mblidhet pas 6 majit, varësisht nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën”, tha ai.

Më 2 maj, në OKB të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues nga misioni i Bosnje e Hercegovinës. Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas draft-rezolutës, kërkohet që të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska. Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?