Ekonomi

Shtrenjtohen me mbi 11% çmimet e apartamenteve në vend! Banka e Shqipërisë: 60% e banesave janë blerë me kredi

1 Maj 2021, 14:15| Përditesimi: 1 Maj 2021, 14:32

  • Share

Pavarësisht goditjes që mori ekonomia e vendit nga pandemia COVID-19,  e cila shkaktoi rënie të ardhurave si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për familjet shqiptar, çmimet e apartamenteve vijojnë të rriten me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në vitin 2020 çmimet e shtëpive u rritën  mbi 11% krahasuar me vitin 2019.

Shtrenjtimi i banesave është më i dukshëm nga viti 2013 deri më tani, ku banka raporton se rritja është me 48.6%, duke e bërë thuajse të pamundur blerjen e një prone pa kredi. Rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura janë blerë me hua bankare. Rritja e çmimeve nuk është prezente vetëm në kryeqytet, por edhe në zonat bregdetare vlera e pronave ishte dyfish më e lartë se në 2019.

“Për zonat bregdetare, çmimet e pronave të shitura gjatë gjysmës së dytë të vitit ishin rreth dy herë më të larta në krahasim me çmimet e pronave të shitura gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa çmimet në zonat e tjera2 shfaqën ndryshime thuajse të papërfillshme”, thuhet në vrojtim.

Çmimet e larta duket se kanë ndikuar edhe tek ulja e shitjeve me rreth 39%, ndërsa apartamentet janë blerë më shumë nga shtetas që nuk jetojnë në Shqipëri. Sipas vrojtimit 18% e subjekteve të pyetura presin që çmimet do të vijojnë të rriten.

Shkak për këtë shtrenjtim sipas ekspertëve është mungesa e pronave pranë qendrës dhe ato që kanë mbetur janë të kushtueshme, është rritur cilësia e ndërtimeve. Ndikim kanë edhe taksat e pushtetit vendor por edhe zgjatja në kohë e marrjes së lejes së ndërtimit. Zonat më të kushtueshme të Tiranës mbeten ish-blloku, unaza dhe pjesa e qendrës, ku  1 metër katror kapërcen në 3300 euro.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?