Shtëpia rrezikon t’i zërë brenda, çifti në Kuçovë apel për ndihmë: Në verë shesim bimë mjekësore, në dimër rrojmë me borxhe! Duam banesë të re

10 Mars, 14:44| Përditesimi: 10 Mars, 14:51

  • Share

Zylfie Merko jeton në një banesë të rrënuar, me mure të çarë dhe çati të shkatërruar në fshatin Velagosht të bashkisë Kuçovë. Varfëria është ulur këmbëkryq në këtë familje.  I vetmi burim jetese për 61-vjecaren dhe bashkëshortin e saj 64 vjeç është mbledhja e bimëve medicinale në mal.

“Ne mbledhim lule në vere dhe i shesim. Në dimër s’ka lule, ndaj marrim borxh sa për të ngrënë. Jam me epilepsi, por nuk kam marrë KEMP, s’ka mundësi t’i bëj dokumentet. As pensioni i pleqërisë nuk më ka dalë, edhe pse e kam mbushur moshën. Jam interesuar për pensionin por më thonë nuk të kanë ardhur vitet e punës që ke punuar në Laprash, kur isha vajzë”, tha ajo.

Zylfia tregon se vuan nga disa sëmundje ndërsa ka edhe epilepsi të gradës parë.

I duhet të bëjë  afro 6 km rrugë në këmbë për të bërë një  gjilpërë, pasi në fshatin Velagosht nuk ka qendër shëndetësore.

“Unë për të bërë një gjilpërë duhet të shkoj në këmbë deri në Kuccovë se këtu ska një infermier”, tha ajo.

Gjatë dimrit rrojnë me borxhe, ndërsa në pranverë dhe vere mbledhin në mal kulpër, bar blete, e bimë të tjera medicinale. Zylfie Merko tregon se disa herë ka trokitur në bashkinë e Kuçovës, ku ka kërkuar strehim, por nuk ka marrë përgjigje.

“Kam shkuar tek bashkia, kërkova kryetarin më thanë është në Tiranë. S’ të pret njeri aty”. 

Përmes Report Tv ajo apelon për një shtëpi të re, pasi gërmadha ku jetojnë sot me bashkëshortin rrezikon t’i zërë brenda.

“Duam një shtëpi të re! Ne s’kemi lekë për bukë, ndaj kërkojmë ndihmë shtetit”.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?