Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet: Kryetarët të punojnë në godina të tjera! Vuçiç të tërheqë ushtrinë e vendosur në kufi

3 Qershor 2023, 07:25| Përditesimi: 3 Qershor 2023, 14:57

  • Share

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t'u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t'i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës.

Zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.

“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t'u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për telefonatën e së premtes.

Dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.

Kryetari i komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi, që nga e hëna është në zyrën e tij, pa dalë asnjëherë. Ndërkaq kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk janë në zyrat e tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kritikua të premten nga opozita e vendit në parlament për veprimet në veri pa bashkërendim me aleatët kryesorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, që kundërshtuan hyrjen me forcë ne komunat veriore, por ai këmbënguli se përgjegjësia është e Serbisë.

Serbia nga ana tjetër ka akuzuar qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës.

Tensionet pasuan zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta. Të hënën protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet shkaktuan plagosjen e 30 ushtarëve dhe nxitën shqetësimin për ripërtëritje të konfliktit në rajonin e trazuar.

Perëndimi ka ushtruar trysni për uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve, përfshirë zgjedhje të reja lokale në veri të Kosovës, uljen e gatishmërisë së trupave serbe në kufi dhe riangazhimin për procesin e normalizimit.

“Zoti Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë për telefonatat e Zëvendës Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç./ VOA


Lajmi kryesor:

BE: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, ose do të përballen me pasoja negative! Sa më shpejt zgjedhje të parakohshme


M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Valteri: 03/06/2023 12:12

    E verteta dhe e drejta jane ne anen e Kosoves dhe kryeministrit Kurti i cilli ban pune te mrekullueshme,se pas 24 vite flamuri i Kosoves valvitet ne tere teritor ,dhe pallavrat dhe mashtrimet te tufes LDK-PDK-AAK fare nuk jane te verteta,por mbi te gjitha mjerimi dhe zhgenjimi me i madhe shkon tek adresa e Edi Rames i cilli eshte bere mbrojtes kujdestar i Sebise dhe Vucicit dhe atakues dhe tradhetar per Kosoven dhe sidomos armiqesor per Kurtin dhe presidenten Osmani ,me keq flet per Kosoven Rama se Vucici..turp dhe mjerim..eshte i padeshiruar dhe i urryerr ne Kosove..

    Përgjigju
  • epo kjo pune: 03/06/2023 08:45

    dmth Serbia te leshoje ne gjepura e kosova ne te drejta... ku eshte barazia ketu?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?