Shqiptarët investojnë në pasuri të paluajtshme, 70 % e kredive për prona

10 Shkurt 2020, 17:40| Përditesimi: 10 Shkurt 2020, 17:49

  • Share

Qytetarët shqiptarë po orientohen më shumë drejt investimit në pasuri të paluajtshme. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e fundit të vitit 2019, kredia hipotekore (për blerje banese) ka pasur ecuri pozitive krahasuar me ecurinë e luhatshme të kredisë konsumatore, përkatësisht në vlerën e 8.7% dhe 3.8%. Kredia hipotekare përbën pjesën më të madhe të kredisë për individë, rreth 70% të saj.

Në tremujorin e katërt të vitit, fluksi i kredisë së re për individët ishte rreth 15.6 miliardë lekë. Edhe pse kërkesa për kredi në fund të vitit ka qenë më e lartë se vitet e tjera, bankat vlerësojnë se ajo nuk ishte në nivelin e duhur për shkak edhe të tërmetit të nëntorit. Kredia më e madhe është marrë në monedhën kombëtare, ndonëse norma e interesit ka qenë e lartë, në vlerën e 6.7% duke u rritur lehtë nga viti 2018. Ndërsa kredia në euro ka pasur normë interesi 3.8% në tre vitet e fundit.

Nga ana tjetër, edhe kredia për bizneset raportohet se ka pasur ecuri pozitive: në tremujorin e fundit të vitit 2019, u rrit me 6.5 miliardë lekë, duke shënuar një përmirësim të lehtë të normës vjetore të rritjes, në mesatarisht 8%. Ecuria pozitive sipas Bankës së Shqipërisë është ndikuar nga lehtësimi i standardeve për kreditim nga ana e bankave tregtare. Kredia për bizneset në tremujorin e fundit është mbështetur nga kreditimi për sektorin e shërbimeve dhe atë të tregtisë. Ndërsa bujqësia ishte i vetmi sektor që shfaqi tkurrje të kredisë krahasuar me një vit më parë, me rreth 7%. Në fund të vitit 2019, kreditë me probleme të bizneseve ndaj totalit ishin 10.7%, niveli më i ulët i dhjetë viteve të fundit.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?