Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi

Shqiptarët e Suedisë sjellin në Akademinë e Shkencave kolanën "Thesar kombëtar" në 11 vëllime

15 Korrik 2022, 20:39| Përditesimi: 15 Korrik 2022, 21:23

  • Share

U mbajt sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi takimi përurues i kolanës "Thesar kombëtar" në 11 vëllime, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. 

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse. 

Akad. Gjinushi përgëzoi shoqatën për veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare e kulturore dhe vlerësoi faktin që tashmë shqiptarët në Suedi kanë intelektualë, njerëz të ditur, shkrimtarë e studiues, që shkruajnë e botojnë vepra me cilësi. Kjo krijimtari është pjesë e trashëgimit dituror shqiptar. 

"Thesari" juaj është dhe yni, prandaj e kemi mirëpritur këtë veprimtari dhe ky është vetëm fillimi. Ne synojmë organizimin e një veprimtarie të përbashkët me të gjitha shoqatat e krijuesve shqiptarë në mërgim.

Ju jetoni atje ku e keni ndërtuar jetën larg atdheut, por me atdheun me vete: me gjuhën, traditat, kulturën e paraardhësve. Shumë mirë që keni dëshmuar dinjitet dhe jeni pranuar e respektuar në vendin mikpritës. Jam i sigurt se ju u përcillni brezave të rinj, bashkë me kodin gjenetik, edhe ADN-në e trashëgimit kombëtar. 

Kjo është arsyeja që ne e çmojmë si një qëndrim shumë pozitiv mospërfshirjen në politika kalimtare të njëanshme. Çështja kombëtare që ju e keni orientim themelor është e mjaftueshme si drejtim politik., - tha akad. Skënder Gjinushi. Mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Skënder Durmishi. 

Ambasadori Durmishi përveç vlerave letrare dhe estetike të kolanës "Thesar kombëtar", çmoi edhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgim. Ai tha se këto punë po memorizohen në një institucion në adresën e duhur që është Akademia e Shkencave në Tiranë. 

Ambasadori i falënderoi autorët e veprës dhe tha se ju emigrantët keni qenë të vlefshëm dhe të dobishëm për atdheun, se keni afirmuar vlerat dhe atdheut dhe të kombit.

Përshëndeti veprimtarinë dr. Mimoza Hysi, drejtore e Drejtorisë së Botimeve për Diasporën dhe falenderoj për ftesën dhe organizimin, mikëpritësit e këtij aktiviteti, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, "e cila përmes tubimeve promovuese shkencore të këtij lloji, po bën të mundur vendosjen e urave të komunikimit, njohjes dhe bashkëpunimit mes qendrave kërkimore shkencore, shoqatave kulturore - atdhetare dhe studiuesve të fushave të ndryshme brenda vendit me ato simotra në diasporë.

Ky komunikim është një domosdoshmëri për të kuptuar më mirë një realitet tashmë gjithnjë e më të konsoliduar të shqiptarisë së krijuar dhe zhvilluar në të katër anët e botës, që përbën jo vetëm një bërthamë të rëndësishme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë jashtë vendin, por dhe një urë lidhëse me kulturat dhe qytetërimet e vendeve pritëse.", tha dr. Mimoza Hysi 

Z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi (SHSHASHS) falënderoi, gjithashtu, Kryesinë e Akademisë së Shkencave për organizimin e veprimtarisë prommovuese. Bedri Islami e vlerësoi veprën “Thesar shqiptar” si një kronikë të jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike, më vlerë njohëse dhe historike.

Jolanda Lila e vlerësoi librin “Thesar shqiptar” si tribunë të mendimit atdhetar dje e sot. Fetah Bahtiri e vlerësoi veprën si një urë midis dy kulturave dhe foli për kontributin e albanologut, përkthyesit dhe mikut suedez të shqiptarëve Ullmar Qvick. Viron Kona e vlerësoi kolanën “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare.  Akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave, me kumtesën “Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” çmoi prurjet e këtij botimi, që do t’ju shërbejnë studiuesve si një informacion i rëndësishëm. 

Një pasuri dhe një shërbim tjetër që i bëhet shoqërisë përmes këtij botimi është edhe mënyra sesi pasqyrohet historia shqiptare nga emigrantët. Është një zëdhënëse polifonike që nuk vë kufij, që s’ka përjashtime, që boton krijimtari, kritikë e debate që në një farë mënyre shpërfill ideologjitë dhe sheh çfarë është me dobi për shqiptarët, tha akad. Shaban Sinani. Osman Ahmetgjekaj u ndal në pasqyrimin e arsimit kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar” dhe foli për kontributin e çmuar të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ne Suedi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?