Shqiptarë, qëndroni në shtëpi kur hëna është e plotë

17 Tetor 2016, 12:12| Përditesimi: 8 Nëntor 2016, 12:40

  • Share
Gazetaria, më shumë se çdo profesion tjetër, të jep mundësinë të shohësh përditë një Univers njerëzor në totalin e tij. Lajmet vijnë nga më të ndryshmet e të larmishmet; që nga zhvillimet në botë, ato politike e sociale, kultura, sporti e deri te kuriozitet. Një nga këto të fundit, publikuar në një media prestigjoze shkruante: Statistikat flasin për shtime aksidentesh, grindjesh, nervozizmi kur Hëna është e plotë... Sipas studiuesve të një Universiteti amerikan, Hëna e plotë ndikon në hiperbolizimin e veçorive të karakterit të gjithëkujt. Të jetë e vërtetë? Shkrime të tjera e studime të tjera rrëzojnë këtë mit, por ama, sidomos në Britaninë e Madhe, andej nga vitet 800, kur ishte Hëna e Plotë kërkohej të dilnin më shërbim më shumë policë, ndërsa avokatët e zotë arrinin të nxirrnin nga burgu klientë të tyre nëse kishin kryer krime "by reason of the full Moon".
E megjithatë, këtë të Hënës së plotë, më pëlqen ta hedh si një provokim, për të patur mirëkuptimin e kritikave ndaj absurditeteve që ndodhën tek ne këto ditë, pastaj Hënë e plotë, apo kështu gjithmonë, seicili të bëjë reflektimin e vet.

Këto ditë patëm aksidente si ai i Sukthit, ku humbën jetën 4 vetë. Përplasjet politike kanë vazhduar me intensitet të lartë, por në të vërtetë ndodhin edhe në ditë të tjera. Por, në këto ditë të Hënës së plotë, përshtypje të madhe më bëri ajo që nuk më kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Në kinema.
Kuriozë për të parë një film magjik, të jashtëzakonshëm si "Miss Peregrine's Home for Peculiar Children" një grup prindërish e fëmijësh shkojmë në kinema. Futemi në sallë seicili me kokoshkat në dorë. Në të gjithë sallën ende bosh, tamam në vëndet ku duhet të uleshim ne sipas biletave, ishte ulur një nënë me djalin e vogel të saj. U bezdis aq shumë që duhej të ngrihej e të kërkonte vendin ku i takonte, saqë na bëri ne të tjerëve të ndiheshim në faj. "Mund të ishim ulur në vend tjetër, por me siguri do të vijnë të tjerë spektatorë pas pak"... i thamë si për të justifikuar sikletin tonë përballë reagimit të saj. Duke tërhequr të birin e vogël gati me forcë, shprehjet dhe fjalët e saj nuk vlejnë as të raportohen. Logjika, edukata, etika dukeshin si dukuri të një planeti tjetër në atë çast. Ndoshta Hëna e plotë? Ndërsa filmi kishte nisur, në errësirën e nën efektet 3D të historisë mbërthyese e plot mesazhe të rëndësishme të Miss Peregrine, një tjetër tërmet: Një tjetër nënë, këtë herë me vajzën e saj të vogël përdore, duke bërtitur se nuk dallonte karrigen, e ul vajzën, e lë aty, e del përsëri. Kthehet, sërish plot zhurmë pak para se të mbaronte filmi, për të rimarrë vajzën e saj që e pa atë film me efekte shpeshherë të frikshme, e vetme fare.

Në sallën e kinemasë nuk ishim më shumë se 20 vetë dhe dy rastet e nënave kaq nervoze, mendoj se janë përqindje e lartë.
Mirësjellja, respekti i hapsirave të seicilit, duket se nuk ka vlerë për disa. Më pas, në banjot e Kinemasë, në qendrën më të madhe e më të rëndësishme tregtare në vend, ishte zhvilluar një tjetër "luftë" me letrat higjenike, lavamanët e bllokuar e trajtimin keq të një tjetër vendi të përbashkët. Ajo që pashë ishte banjo e grave, pra e nënave dhe vajzave që duhet të kenë një ndjeshmëri më të lartë për rregullin e pastërtinë.
 
Po në realitetin virtual? Shfryrjet me ofendime, shpifje, kërcënime nëpër rrjete sociale, janë me shumicë e të tepruara.
Unë nuk e besoj se ne jemi kaq negativë, kaq të ngarkuar me emocione të këqija. Për të gjitha këto, me siguri, Hëna e plotë është fajtore, jo ne. E meqë është aq larg dhe nuk mund t'i bëjmë asgjë kësaj Hëne, a nuk është më mirë të mbyllemi në shtëpi derisa të qetësohemi?  

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?