Zerqani, mbushur me histori e legjenda është krahina më piktoreske e Bulqizës. Parku natyror "Zabeli e Vakëfit", pylli me gështenja, gurrat e livadhet ofrojnë një bukuri të pa matë. Me një sipërfaqe prej 8 mije hektarësh, ky fshat ndodhet 17 kilometra nga qyteti i Bulqizës dhe 7 kilometra nga rruga nacionale Tiranë – Peshkopi.
Sapo kemi lënë rrugën nacionale marrin kthesën për në Zerqan! Të vret syrin kjo tabelë e rrënuar, e pandryshuar prej dekadash, me emërtimin e vjetër të komunave. Ndërsa rruga deri në qendër të fshatit është e asfaltuar dhe e mirëmbajtur.
Banorët na drejtojnë fillimisht tek shtëpia dhe teqeja e Mustafa Shehut, i cili ka qenë fetar dhe atdhetar që luftoi në vitet 1835-1844 kundër turqve. Na mirëpret nipi, Naim Shehu, i cili na rrëfen historinë e familjes.
"Kjo familje ka tradita patriotike, si me marrjen pjesë në luhtë të Sheh Mustafës, i cili organizoi luftën e Drinit".- rrëfeu ai.
Vendimi për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë parë është marrë në qershor nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë, por ende s'kanë mbërritur grupet e punës. Ne ndërkohë vizitojmë ambientet e brendshme.
"Kjo është dhoma ku priteshin miqtë, njerëzit e nderuar", tha ai.
Zerqani njihet dhe për "Zabelin Vakëf", park natyror me pemë të larta dhe burime ujore, që banorët e kanë ruajtur ndër vite me fanatizëm, duke e konsideruar vend të shenjtë!
"Është vend i shenjtë, që ruhet me fanatizëm nga banorët e fshatit", tha Mehdi Sinani.
Por si në gjithë fshatrat e vendit, Zerqani vitet e fundit është 'tkurrur' si pasojë e emigrimit.
'Ju bëj thirrje të rinjve të vijnë e të investojnë në vendlindje', tha kryeplaku Muhamed Sula.
Me tradita, histori dhe resurse natyrore, turizmi nuk ka njohur zhvillimin e merituar në Zerqan, megjithatë mbetet një ftesë e hapur për të gjithë eksploruesit e maleve dhe jo vetëm. Mund të qëndroni në hotelet dhe bujtinat e Peshkopisë apo Bulqizës dhe ta përfshini Zerqanin në axhendën tuaj të udhëtimeve.
M.Q.//ReportTv.al"Është një vend fantastik ku kalohet mirë me familjen dhe shoqërinë, ka natyrë dhe monumente kulture", tha gazetari Sami Curri. "Gurrat dhe zabeli i Zerqanit ju ofrojnë një ngjitje të bukur, prandaj duhet ta vizitoni Zerqanin", shton gazetari Geri Emiri.