‘Shqipëria turistike’/ Ungreji i Lezhës në kërkim të turizmit malor! Banorët: Mundësi për t’u zhvilluar agro-turizmi

3 Gusht 2023, 13:34| Përditesimi: 3 Gusht 2023, 13:43

  • Share

Lezha, nuk ka vetëm plazhe të bukura por dhe male, ndaj ju prezantojmë një destinacion të ri, vetëm 26 kilometra nga qyteti. Ungrej, treva me histori, tradita dhe natyrë piktoreske. 

Në rrugën nacionale Lezhë-Vau i Dejës, kthehemi djathtas në Kallmet, e mandej ndjekim tabelën për në Ungrej. Kemi lënë pas fushat dhe ngjitemi malit, ku ndihet ajri i freskët.

Rruga gjarpëruese nga Kreshta deri në qendër të njësisë administrative sapo është asfaltuar dhe nga ballkoni panoramik syri të rrok gjithë fushën e Zadrimës.

Shkëmbehemi me ndonjë turist të huaj që lëvizin me kamper dhe pak banorë që kanë mbetur këtyre anëve. Për 40 minuta kemi mbërritur në qendër të Ungrejt, ku ndodhet dhe kisha. 

Emigrimi ka bërë të veten si kudo, por me asfaltimin e rrugës, shpresat janë që banorët të kthehen për të rijetëzuar kullat mbi 200-vjecare.

Këtu takojmë rapsodet e njohur Pjetër dhe Ndue Lleshi të cilët po realizojnë një videoclip. 

Ungrej është një vendbanim i hershem, tregon banori Mark Kola, ku sot mund të zhvillohet agro-turizmi.

Kështjella e Kastrit, qafa e Pazarit, kishat dhe kullat e vjetra identifikojnë zonën.

Ndërsa tumat ilire në Kaluer, ku në vitet ’60 u zbuluan varret e lashta, kanë mbetur jashtë vemendjes së arkeologëve.

Ungrej si qendër administrative bashkë me fshatrat Kashnjet, Kalivaç, Fregen, Kaluar dhe Sukaxhi ia vlen të vizitohen në çdo kohë. Por nëse udhëtimi juaj përkon me festën e Shën Mëhillit apo darkën e djathit në gusht do të gjeni mikpritjen e këtyre njerëzve punëtorë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?