‘Shqipëria turistike’/ Troshani i Lezhës, fshati historik me peizazh magjepsës, turistët: Na befasoi natyra dhe bujaria e njerëzve këtu

12 Gusht 2022, 14:00| Përditesimi: 12 Gusht 2022, 14:10

  • Share

Troshani, fshati piktoresk në zemër të Zadrimës është vendi fantastik për të kaluar fundjavën mes natyrës, për tu njohur me historinë dhe traditat që banorët i ruajnë me fanatizëm. Troshanin e gjejmë lehtësisht, duke ndjekur rrugën nacionale Lezhë-Shkodër në kilometrin e 12-të tabela na njofton se duhet të kthehemi majtas.  Nga Tirana udhëtimi zgjat 1:30 minuta, ndërsa rruga është e asfaltuar.

Ndalesa jonë e parë është në kishën e "Zojës së Papërlyer", vendi ku ka qenë Kuvendi dhe kolegji franceskan dhe ku kanë marrë mësimet e para personalitete të katolizicmit dhe letrave shqipe, Shtjefën Gjeçovi, Justin Rrota, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi, dhe at Gjergj Fishta, shtëpia e lindjes e të cilit ndodhet vetëm 1 kilometër larg. Kuvendi franceskan është themeluar në vitin 1639, ndërsa kolegji u çel në vitin 1882.

Troshani është futur në hartën e turizmit, ku janë ngritur disa bujtina e restorante që mirëpresin turistë nga mbarë bota. Për t'ju njohur me kulinarinë e zonës në vizitojmë Hanin e Leks. Na mirëpret Mrika, e cila pas 20 vitesh në emigracion është kthyer me familjen në vendlindje për të ngritur këtë sipërmarrje në mes të gjelbërimit e ajrit te pastër.

"Ka katër vite qe e kemi hapur dhe kemi punuar shumë jo vetëm në restorant por dhe agroturizëm, me bagëti e bujqësi. Edhe kur nuk na mjaftojnë produktet furnizohemi nga bashëfshatarët tanë. Për restorant klientët janë nga Tirana, Shkodra. Ndërsa në booking rezervojnë dhoma turistë të huaj holandeze e belgë kryesisht", tha Mrika DODA administratore e agroturizëm "Hani  Leks".

Tek Hani i Lekës mund të provoni gatimet tradicionale dhe të qëndrosh disa ditë në ambientet e bujtinës. Fshati gjatë verës është i populluar nga turistë vendas e të huaj të cilët na tregojnë eksperiencën e pakrahasueshme.

"Jemi nga Roma kemi ardhur këtu me ftesë të miqve shqiptarë. Më befasoi natyra në Shqipëri dhe bujaria e njerëzve".

"Sigurisht peizazhi më pëlqen më shumë. Patjetër që do ua sugjeroj miqve por herën e ardhshme mendoj të marr dhe prindërit e mi, sepse do mrekullohen këtu", shprehen turistët.

Fshati Troshan në Lezhë është një oaz natyror, veshur me cilësitë e historisë e traditës që ia vlen ta vizitoni në çdo stinë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?