‘Shqipëria turistike’/ Lini, fshati që duket sikur 'kridhet' në ujërat e Ohrit në Pogradec! Mrekullia e natyrës dhe 'Tava e Koranit', specialiteti i shtëpisë së Rozës

5 Gusht 2022, 19:07| Përditesimi: 5 Gusht 2022, 19:23

  • Share

Në rubrikën "Shqipëria turistike" këtë herë jemi në fshatin Lin të Pogradecit që shtrihet buzë liqenit të Ohrit, dhe gjithnjë e më shumë po frekuentohet nga turistët e huaj.

Mirëseardhja në juglindje të serviret me pamjen e gadishullit të Linit, që të shfaqet menjëherë sapo zbret Qafëthanën. Por ajo që më së shumti tërheq vëmendjen, është telajoja me shumë ngjyra e gadishullit, një oaz çlodhje veshur me cilësi.

E nisim rrugëtimin tonë në Lin të Pogradecit nga mozaiku i bazilikës, që daton në shekujt IV-V. Sot është i ekspozuar pjesërisht për vizitorët, pasi autoritetet vendase e mbrojnë atë nga fenomenet natyrore, por edhe nga dora e njeriut. Në fund të gadishullit gjendet një nga kishat më të çuditshme, mbase e vetmja kishë bunker. Sistemi komunist në vitin 1967 shembi kishën  3 shekullore të “Shën Nikollës” dhe ndërtoi një bunker. Pas rrënjës së komunizmit në vitin ’90, bunkeri i ndërtuar në vendin e kishës, pa u dëmtuar u kthye sërish në kishë ku banorët kryejnë ritet fetare.

Në fshatin turistik janë ndërtuar rishtazi bujtina që mirëpresin me qindra turistë nga mbarë bota. Ne do të ndalemi tek "Shtëpia e Luleve" në qendër të fshatit, që turistët i thonë shtëpia e Rozës duke e identifikuar me zonjën e shtëpisë. Mes shumë detajesh, spikasin kostumet etnografike, qilimat e punuar në vegël, që familja Bicja i ka ruajtur me fanatizëm.

Zhvendosemi në kuzhinë, ku Roza do të gatuajë specialitetin e zonës, “Tavën e Koranit”

Turistët që po pushojnë tek shtëpia e Rozës ndajnë me ne eksperiencën e tyre.  

"Ndihem vërtet i mirëpritur nga banorët këtu. Edhe  ushqimi është i mire. Sot do bëjmë një tur të vogël përreth 5 km dhe nesër do shkojmë tek kisha dhe tek mozaiku. Më pëlqeu aq shumë saqë me siguri do kthehem përsëri.”- tha një banor i zonës.

‘Njerëzit janë miqësorë, çdo mëngjes na përshëndesin, kemi parë kafshë të ndryshme, mënyrën se si ata punojnë tokat, pra ky fshat e tregon mjaft mire jetën shqiptare.’- tha një zonjë.

‘Këtë vend të bukur (Linin) e gjeta duke kërkuar në internet dhe ja ku jemi.’- tha një vajzë.

‘Është një vend vërtet i bukur, i cili ngjan me liqenin e Komos në Itali".’- tha një djalë.  

Turistët largohen nga Lini me premtimin se do të rikthehen përsëri!

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?