'Shqipëria në 'BB-' Ministri i Financave, Mete: Vlerësimi i Standard&Poor’s përkthehet në më shumë investime të huaja, lehtësira për huamarrjen

23 Mars, 11:10| Përditesimi: 23 Mars, 11:35

  • Share

Agjencia Ndërkombëtare “Standard & Poor’s” ka rritur me një kategori vlerësimin për Shqipërinë, duke e vlerësuar për herë të parë vendin tonë në kategorinë BB-.

Por çfarë do të thotë ky vlerësim për Shqipërinë?

“Vlerësimi forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit. Tani vendi do të perceptohet më pozitivisht nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri dhe kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, si edhe kushte më të lehtësuara për huamarrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët” tha ministri i Financave në një prononcim për median.

Ky vlerësim i S&P vjen gjashtë muaj pasi agjencia ndërkombëtare rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive.

"Rritja e vlerësimit nga Standard & Poor’s merr një rëndësi edhe më të veçantë në kushtet e një situate sfiduese të ekonomisë globale, pasi një pjesë e konsiderueshme vendesh kanë patur rënie të vlerësimit nga agjencia ndërkombëtare. Nënvizon besimin në aftësinë tonë për të përballuar sfidat ekonomike, duke forcuar në të njëjtën kohë bazat financiare. Ai përbën një certifikim të strategjisë sonë të rritjes dhe praktikave të menaxhimit të financave publike" informon Mete.

Ngjitja me një kategori vlerësimi nga Standard & Poor’s konfirmon situatën e mirë që po kalon ekonomia e vendit, qëndrueshmërinë e financave publike dhe pritshmërinë pozitive për reformat e ndërmarra.

S&P nënvizon se ky përmirësim i vlerësimit vjen si një njohje e rezistencës së fortë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

"Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, papunësia është në nivelet më të ulëta historike, inflacioni është rikthyer në objektiv përpara pritshmërive, pozicioni i jashtëm është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike, ndërsa borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023" tha Mete duke shtuar se avancimi në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave.  


Lajmi kryesor:

Standard&Poor’s përmirëson për herë të parë vlerësimin financiare për Shqipërinë në 'BB-'


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?