Sport

Shqipëria mbyll olimpiadën 'Tokio 2020' pa medalje! Calja i 4-ti në peshëngritje, rezultati më i mirë! Gega e 13-a në 3000 metra me pengesa

4 Gusht 2021, 13:42| Përditesimi: 4 Gusht 2021, 15:25

  • Share

Me vendin e 13-të në Olimpiadë të Luiza Gegës Shqipëria mbyll përfaqësimin e saj në “Tokio 2020”. Atletja Luiza Gega ishte e fundit që garoi dhe e mbylli në vendin e 13-ë në Tokio 2020 garën e 3000 metrave me pengesa.Shqipëria garonte për herë të parë në finalen e një gare atletike në një Olimpiadë kjo falë Luiza Gegës. Atletja e mbylli garën e 13-ta duke arritur kohën 9:34.10 shumë larg kohës që e kishte sjellë në finale 9:23.85. Gjithsesi paraqitja e Gegës ishte shumë më e mirë se në Rio 2016 dhe  gjithsesi bëri historinë. Edhe Shqipëria mbyll pjesëmarrjen në Olimpiadën e Tokios më mirë se në Rio por ende nuk mundemi të sigurojnë një medalje olimpike.

Shqipëria u përfaqësua në Lojërat Olimpikë të Tokios me 9 sportistë në pesë disiplina të ndryshme. Rezultatin më të mirë e arriti Briken Calja që u rendit i katërti në peshëngritje në peshën trupore deri në 73 kg. Calja e mbylli dygarëshin me 341 kg vetëm një kg larg medaljes olimpike duke shënuar një rezultat historik për Shqipërinë. Peshëngritësi tjetër Erkand Qerimaj e fitoi baterinë B të peshës deri në 81 kg por Olimpiadën e mbylli në vendin e 9-të. Gjimnasti Matvei Petrov nuk mundi të kualifikohej në finalen e kaluçit me doreza. Edhe atleti Izmir Smajlaj nuk e arriti dot finalen e disiplinës kërcim së gjati duke u renditur në vendin e 18-të. Që në raundet e para u eliminuan notarët Kledi Kadiu dhe Nikol Merizaj. Paraqitje modeste bënë xhudisti Indrit Çullhaj që u dëmtua që në garën e parë dhe qitësja Manuela Delilaj. Historinë e bëri Kosova që në Tokio rrëmbeu edhe dy medalje të arta në xhudo me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën duke e çuar në tre medalje të arta pas asaj të Majlinda Kelmendit në Rio 2016-të.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?