Shqipëria mbyll mandatin 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit, Hasani: Ishim një zë i fortë dhe i besueshëm, rritëm profilin e vendit në arenën ndërkombëtare

31 Dhjetor 2023, 11:36| Përditesimi: 31 Dhjetor 2023, 12:26

  • Share

Ky 31 dhjetor shënon ditën e fundit të mandatit të parë të Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit.

“Ndaj me çdo shqiptar kudo ku ndodhen, nderin e pamasë që kemi përfunduar  me sukses një nga detyrat më impenjuese në politikën e jashtme, mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit në kohëra kaq sfiduese për mbarë globin”

Përmbylljen e obligimit më të madhe ndërkombëtar si arritje më madhore të diplomacisë shqiptare, përmes një videomesazhi nga salla e mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e konsideron si një moment krenarie.

“Dëshiroj të ndaj, me një krenari të veçantë, këtë mesazh nga kjo Dhomë, ku gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka punuar së bashku me anëtarë të tjerë dhe ka luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”

Tirana zyrtare ka bërë punën e saj, duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi, edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilej përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë.

“Për Ukrainën, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, ne mbrojtëm fort e me vendosmëri kauzën ukrainase,  sepse ajo ishte e drejtë, sepse ajo përfaqëson gjithçka të rëndësishme për ne”

Përgjatë dy viteve, Shqipëria ngriti me vendosmëri avancimin e agjendës së grave për paqe dhe siguri, respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien, ndryshimet klimatike, sigurinë kibernetike, agjendën rinia paqja dhe siguria, si dhe përmirësimin e metodave të punës së Këshillit të Sigurimit.

“Mbi të gjitha, ne arritëm të sjellim një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke çimentuar partneritetet tona strategjike dhe duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleat dhe partner i besueshëm për Bashkimin Evropian”.

Shqipëria mori votat e 175 vendeve anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’u zgjedhur në Këshillin e Sigurimit, dhe e plotësoi këtë detyrë nga 1 janari 2022 deri më 31 dhjetor 2023.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?