Shqipëri-Greqi, 4 pikat
ku palët (s)mund të lëshojnë

11 Nëntor 2017, 12:02| Përditesimi:

  • Share
Delegacionet e Shqipërisë dhe Greqisë janë kyçur që prej ditës së djeshme në një hotel në zonën e Iraklios në ishullin e Kretës në një fund-javë të paprecedentë pune diplomatike mes dy shteteve, në përpjekje për të zgjidhur problemet historike të mbartura prej vendeve.

Por cilat janë temat e nxehta, ato të parashtruara në tryeze dhe në cilat prej tyre palët mund të bëjnë leshime, dhe cilat janë çështjet e tjera ku përkundrazi ato mund të mos lëvizin dot nga pozicionet e tyre të ngurta.

1 – Tekstet mësimore
Sikurse dihet historiografia e të dyja vendeve vuan pasojat e një ideologjie të shekullit të kaluar, e mbushur me nacionalizma dhe diktate politike. Në tekstet e historisë shqiptare, sidomos ato shkollore, mbizotëron ideja se Greqia është një vend armiqësor që ka pushtuar, aneksuar pjesë të Shqipërisë dhe ka kryer gjenocide ndaj popullsisë shqiptare dhe se Shqipëria shtrihej deri në fillim të 1900-s në qytete të rëndësishme të Greqisë së sotme, si Prevetza, etj. Nga ana tjetër, në tekstet mësimore të ngjashme greke në vendin fqinj, i mëshohet idesë se një pjesë e mirë e jugut të Shqipërisë mbizotërohet nga orthodoksë-grekë, të cilët i përkasin Vorio Epirit, pra Epirit të Veriut, jugu i të cilit përfshihet në kufijtë zyrtarë të Greqisë. Greqia bazohet te kjo tezë duke u mbështetur te shpallja e Autonomisë së Vorio Epirit në vitin 1914, që i hiqte qytete si Gjirokastra, Saranda dhe një pjesë të mirë të jugut, deri në Korçë, Shqipërisë, gjë e cila nuk arriti të njihej kurrë nga komuniteti ndërkombëtar dhe mbeti vetëm një përpjekje e dështuar. Nëse të dyja palët tregohen më objektive dhe historikisht korrekte, është shumë e lehtë që tekstet të rishikohen. Shqipëria duhet të ketë parasysh se në kohën kur Greqia u formua si shtet në vitin 1821 me të gjitha territoret që njihet sot, shteti shqiptar nuk ekzistonte, pasi ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, e cila ndarjet territoriale i caktonte mbi bazë vilajetesh (ku përfshiheshin njerëz me etni dhe fe të ndryshme) dhe jo kufijsh të një shteti-komb e për rrjedhojë edhe kufijtë zyrtare të Shqipërisë nuk ekzistonin, në mënyrë që ajo të mund të pretendojë se Greqia i ka marrë diçka. Gjithashtu në kohën e Luftrave Ballkanike, kur Greqia u zgjerua, lufta nuk ishte e ndaluar në bazë të së drejtës ndërkombëtare, madje ajo shihej si një mjet zgjidhjeje i mosmarrëveshjeve. Nga ana tjetër, Greqia, e di se autonomia e Vorio Epirit ishte e nxitur për së jashtmi dhe me trupa ushtarake por pa uniforma zyrtare që mbërritën nga Kreta dhe Korinthi. Rishikimi i kësaj çështjeje dhe heqja dorë nga tesktet e identifikimit të të gjithë orthodhoksisë si greke, do ta çtensiononte shumë këtë çështje.

2 – Grekët e rënë në Shqipëri dhe çamët e “rënë” në Greqi

Greqia vazhdon të kërkojë varreza për ushtarët e saj të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke. Shifrat e paraqitura nga pala greke, për plot 11 mijë të rënë duken tejet jo-realiste, po të mendohet që bëhej fjalë për një luftë malesh dhe që zgjati vetëm një vit. Dhe ndërkohë në Shqipëri ekziston një varrezë për të rënët grekë të kësaj lufte, ajo në Kosinë të Përmetit, që u shoqërua gjithashtu me mjaft polemika. Sidoqoftë nuk mund t’i mohoet Greqisë e drejta që të rënët të prehen aty ku kanë rënë, kjo është një e drejtë që në Shqipëri, u është njohur edhe ushtarëve gjermanë e atyre britanikë. Por duke qenë se Shqipëria ka bërë dhe ka gjasa të bëjë lëshime për këtë çështje, këtë nuk mund ta bëjë sy-mbyllazi. Edhe dëbimi dhe masakra e popullsisë çame, është një e vërtetë historike, e dokumentuar dhe fotografuar në arkivat e OKB-së. Minimalisht kërkesa për ngritje memorialësh dhe varrezash edhe për çamët në Thesproti/Çamëri, do të ishte një kërkesë në përputhje të frymës së reciprocitetit. Respekti dhe nderimi për të vdekurit, lips vetëm njerëzillëk dhe jo teknikalitete e aftësi të kulluara diplomatike.

3 – Ligji i Luftës, minoriteti grek dhe çamët

Greqia mban ende në fuqi një ligj lufte me Shqipërinë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky ligj mbahet në fuqi, pasi në bazë të tij u janë sekuestruar pronat e pasuritë çamëve, nën pretendimin se kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorëve të huaj. Greqia është orvatur disa herë të argumentojë se ligji nuk ekziston më, pasi është shfuqizuar nga Traktati i Miqësisë mes dy vendeve i vitit 1996. Mirëpo, juridikisht, një ligj nuk e shfuqizon një tjetër ligj, me përjashtim të rastit kur e parashikon shprehimisht një gjë të tillë. Pra ligji i luftës mund të shfuqizohet vetëm nga Parlamenti grek dhe jo nga qeveria apo traktate të tjera, që nuk e kanë të drejtën e një fuqie të tillë abroguese. Me pushimin e këtij ligji dhe të drejtën e çamëve në mos për t’u kthyer në pronat e tyre (të shtetëzuara apo privatizuara nga shteti grek dhe qytetarë të tij), të paktën të marrin një dëmshpërblim të drejtë për to, Shqipëria nuk do ta kishte të vështirë t’i jepte të drejta më të mëdha minoritetit grek në Dropull e Delvinë, si njohja e gjuhës greke si gjuhë e dytë zyrtare në këto krahina. Por Greqia e ka ngritur stekën dhe kërkon njohjen e minoritetit grek edhe në krahinën e Himarës. Shqipëria do ta kishte të vështirë ta pranonte një kërkesë të tillë, por nëse Greqia heq ligjin e luftës dhe njeh të drejtat e pronësisë së çamëve dhe çdo të drejtë tjetër njerëzore që u takon, edhe Shqipërisë mund t’i duhej të bënte ndonjë sakrificë “të vogël”. Tekefundit, për të kërcyer tango duhen dy partnerë dhe arti i marrëveshjes, nënkupton tërheqjen e të dyja palëve nga qëndrimet e tyre të mëparshme.    

4 – Marrëveshja për kufijtë detarë dhe shelfin kontinental

Kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshje e cila është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, është diçka nga e cila Greqia mund të lëshojë pe ndërse Shqipëria absolutisht jo. Greqia mund të lëshojë pe duke u tërhequr nga marrëveshja e parë, e cila ishte tërësisht e njëanshme dhe në favor të saj. Duke lëshuar pe, Greqia vetëm sa do të pranonte vijën mesore që do ta ndante drejtë distancën mes brigjeve të dy vendeve në Kanalin e Korfuzit. Dhe kjo vijë mesore, për të nxjerrë baraz-largësinë, në bazë të së drejtës detare ndërkombëtare merret si bazë si një vijë e drejtë që nis nga kepet më ekstreme të brigjeve tokësore, dhe jo nga masa shkëmbore, apo ishuj që mund të gjenden kudo në mes të detit ndërmjet dy vendeve, sikurse u bë në marrëveshjen e parë. Nëse Greqia nuk e pranon këtë, mbetet që palët t’i drejtohen një arbitri ndërkombëtar, i cili nuk do të kishte si të vendoste ndryshe. Ja përse Shqipëria nuk duhet të lëshojë pe. Por sikurse është këshilluar edhe nga një kompani konsulentësh dhe ekspertësh ndërkombëtarë, pala shqiptare nëse i drejtohet arbitrazhit, duhet të ketë kujdes që të mos i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Së Drejtës Detare, ku Greqia, ka shprehur rezervën në traktatin e aderimit se nuk ja njeh si detyruese vendimet. Një arbitër ndërkombëtar i zgjedhur me marrëveshje nga të dyja palët do të ishte zgjidhja e vetme e mundshme. 

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?