Shqipëria dhe shqiptarët
në sytë e një regjisori francez

11 Tetor 2012, 09:31| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Regjisori francez Vincent Hazard kur e preku tokën shqiptare për herë të parë nuk dinte asgjë tjetër, përveç faktit se Shqipëria është një vend i vogël që ka jetuar 50 vjet nën diktaturë. Nuk dinte asgjë për historinë e këtij populli, për jetesën e tyre, për vlerat. Kontakti i parë ndodhi 9 vjet më parë, kur u përzgjodh si pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, TIFF 2003, në Tiranë, . Para se të vinte në Shqipëri kishte dëgjuar nga lajmet mediatike "ca gjëra" për të cilat tregon se i dukeshin "shumë të çuditshme dhe monstruoze për të kuptuar qartë profilin e një populli". Lajmet për shqiptarët në Francë, apo Europë sikur ishin të përzgjedhura enkas për të krijuar një imazh të keq. Vincens Hazard rrëfen se dëgjonte shpesh lajme që kishin lidhje ose me mafian, me kanunin, për vrasjet e gjëra të tjera që s'i merrte dot me mend. Gjatë ditëve të festivalit ai takohet me shumë shqiptarë dhe ndesh një realitet tjetër shumë miqësor. Kështu i lindi ideja e filmit, qw na e rrëfen në intervistën për "Shqiptarja.com". Në rrëfimin e tij zbulohet edhe historia e panjohur e një emigranti shqiptar që në periudhën e tranzicionit postkomunist kthehet në atdhe për t'u bërë baba i teqesë nw Martanesh. Ky është baba Hysni Shehu, njëri nga personazhet kryesorë të dokumentarit.

Zoti Vincent Hazard. Mirëserdhët në Tiranë! A mund të na thoni cili është subjekti i filmit që do të shfaqni sot (dje)?

-Subjekti bënë fjalë për dy burra shqiptarë. Janë dy të rinj që vinë nga e njëjta zonë nga Martaneshi, por me dy zgjedhje të ndryshme në rrugët e jetës. Njëri është një 30-vjeçar , familja e të cilit fitoi lotarinë amerikane. Para 10 vjetësh ata u nisën në Boston në Amerikë. Por në atë kohë ai ishte 21 vjeç, dhe duhet të rrinte këtu, sepse ishte shumë i madh për t'u nisur me ata. E gjeta para dy vjetësh, kur erdha nga Franca, dhe ai me tregoi për jetën e tij në Tiranë, duke pritur që të bëheshin dokumentet për në Amerikë. Personazhi tjetër ishte nga Martaneshi, një djalë i ri që vendosi të bëhet bektashi. Ai vinte nga një begraund i besimit të bektashinjve dhe u bë një baba. Megjithëse pati mundësinë që të shkonte në një teqe në Amerikë, djali që quhej Hysen Shehu edhe pse i thanë se edhe atje mund të bëhej baba, refuzoi dhe tha se dua të rri me njerëzit e mi në Martanesh. Kështu ai rikonstruktoi teqenë e Sulltan Bajramit lart në Mal në Martanesh. Shkova ta filmoja ndërkohë që po ndërtonte teqenë. Ai ndërtoi teqenë që të sillte vëmendjen e njerëzve dhe të turistëve në Martanesh. I filmova ata për pak kohë atje në Martanesh, dhe pas dy vjetësh u takuan sërish. Bëmë një diskutim bashkë për të treguar jetën e njerëzve në Shqipëri, më Shqipërinë moderne.

Pse ju jeni kaq shumë të interesuar për problemet e Shqipërisë dhe jetën shqiptarëve?

-Në fakt unë e kam zbuluar Shqipërinë në 2003-in, sepse pata një film të shkurtër që u seleksionua në TIFF. Dhe nuk dija asgjë për Shqipërinë, por një nga miqtë e mi e njihte. Dhe i thashë që do të shkojë dhe kaq ishte. Pastaj gjeta shumë njerëz të këndshëm në Shqipëri dhe një shoqëri shumë interesante. Mënyra sesi janë njerëzit këtu më duket shumë interesante dhe mendova dhe kjo është diçka me të cilën nuk jemi mësuar ne në Francë dhe mendova që aty ka shumë material për t'ua treguar njerëzve Shqipërinë dhe për të bërë film. Kështu që vendosa të vij prapë për të treguar anët e mira dhe anët e këqija të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet jetës së dy njerëzve. Pra po u tregoj dy njerëz të mirë, të cilët po arrijnë të bëjnë gjëra të rëndësishme, gjëra të cilat nuk mund t'i arrijnë dot të gjithë. Pra mendova të bëjë një dokumentar për njerëzit e Shqipërisë. Ne po i ndjekim ata, për t'u treguar njerëzve në Francë, ose në Europë realitetin e jetës shqiptare. Sot me ndryshimet e mëdha, me prurjet e laptovëve dhe të celularëve në Tiranë dhe në shtëpinë e babait bektashi në fshat gjërat kanë ndryshuar.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët është krijuar një imazh i keq në Europë e në Botë, cili është opinioni juaj?

-Kjo është interesante, sepse kjo është pikërisht një nga gjërat kryesore që doja të tregoja. Shumë herë kur flasim për Shqipërinë, flasim për gjerat e këqija që ndodhin. Gjëra për mafien ose kanunin ose gjëra të çuditshme si këto, por kur ka ndodhur, në cilat kushte, e se çfarë janë këta njerëz nuk ka asnjë koment. Kur njerëzit nga Franca ose Europa vinë këtu shohin një imazh komplet ndryshe të vendit. Duhet të them që ka probleme, por ka dhe gjëra të mira që ndodhin. Gjëra që mund të frymëzojnë njerëzit në Francë ose në vende të tjera të Europës. Kjo është ajo për të cilën unë flas në film, gjithashtu interesant është edhe aspekti fetar. Për shembull, në aspektin fetar në Francë dhe në botën arabe ka shumë tensione. Ndërmjet feve, ajo e veçantë çfarë gjej këtu është se janë njerëz që jetojnë me fenë e tyre në paqe. Për mua kjo është shumë frymëzuese sepse tregon për cilësitë e një populli, ku njerëzit janë të gjithë shqiptarë dhe qofshin myslimanë, ortodoks, të krishterë nuk ka rëndësi. Ata jetojnë me fenë e tyre dhe askush nuk përpiqet t'i vrasë pse kanë një fe tjetër. Dhe e mendoj se është shumë e rëndësishme të tregohet se është mundur të bëhet kjo.

A dini ju shumë për të kaluarën, për diktaturën, për Enver Hoxhën?

-Po, po sigurisht. Kur mbërrita e dija që kishit pasur një regjim shumë të egër komunist. Por edhe bëra shumë kërkime, sepse filmi është për realitetin e vendit sot. Por është shumë influencuese ajo çfarë ka ndodhur në periudhën komuniste. Çdo gjë që sheh në film për shembull ndihet influenca. Tregojmë bunkerët, dhe bunkerët janë shembur me shpërthime të mëdha. E shohim këtë në fshatra, e shohim te njerëzit duke shkatërruar bunkerët. Duke shkatërruar bunkerët dhe duke marrë atyre metalin, në film del se njerëzit e dinë që këto bunkerë i ka ndërtuar Enver Hoxha, por nuk e dinë pse. Dhe kuptojnë që diktatori i tyre ishte pak i çmendur. E kaluara ndikon në jetën e njerëzve sot. Dhe situata është kjo, që ka një trashëgimi të viteve të komunizmit ndër shumë gjëra këtu. Gjëra që bëhen se mbeten zakon nga koha komuniste dhe gjëra që bëjnë njerëzit tani në reaksion komplet të kundërt kundër komunizmit. Është diçka interesante për t'u treguar, sepse ne në Francë ne nuk kemi pasur diktaturë për një kohë të gjatë dhe e di që është traumë për një vend të jetojë në diktaturë. Spanja e di këtë, sepse kanë pasur diktaturë dhe dihet se kurrë e heq diktaturën, njerëzit kanë nevojë për shumë kohë që të rehabilitohen.

Po për rolin e politikës aktuale sot dini ndonjë gjë?

-Di, por unë nuk përfshihem në politikë, sepse nuk di shumë si gjëra funksionojnë në përgjithësi. Mendoj se problemi juaj sot është që të keni qeverinë e duhur. Nuk është e lehtë. Unë nuk i gjykojë njerëzit, ose politikanët. Nuk është puna ime që të ndërhyjë, sepse unë nuk jam qytetar shqiptar. Unë mund të them për gjërat që janë mirë ose keq dhe nuk mund të gjykojë gjë tjetër, veçse artin shqiptar.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?