Shqipëri-Kosovë, unifikimi i PIK-eve
për kontrollin e sigurisë ushqimore

1 Tetor 2014, 17:16| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Autoritetet e mbikëqyrjes së sigurisë ushqimore të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë zhvilluar një takim në kryeqytet, për të bërë të mundur unifikimin e procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK).

Palët në takim ishin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i shqipërisë (AKU) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV). Ky takim gjithashtu u organizua në vijmësi të takimit, me të njëjtin qëlllim, që Zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Alban Zusi dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Afrim Bakaj, patën disa javë më parë në Kosovë.

Gjatë takimit të sotëm Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Afrim Bakaj, i shprehu palës kosovare gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim sa më të mirë dhe të ndërsjelltë.

“Kryesorja është që produktet tona të lëvizin pa asnjë problem mes dy vendeve, duke respektuar marreveshjet teknike dhe unifikuar disa praktika të inspektimeve në Pikat e Kalimit Kufitar, duke krijuar edhe lehtësira për importuesit dhe eksportuesit e dy shteteve tona.

Sa më shpejt të sheshohen mosmarrëveshjet teknike dhe të unifikohen praktikat dypalëshe, aq më frytdhënëse do të jenë bashkëpunimet tona”- u shpreh  gjatë takimit Bakaj.

Ndërsa, nga ana e saj, pala kosovare, e kryesuar nga Zëvendës Drejtori Nazif Krasniqi, përgëzoi iniciativën dhe mundësinë që po i jepet bashkëpunimit dypalësh. Ndërsa nga ana teknike, Krasniqi, theksoi në takim ndihmesën e madhe për lëvizjen e lirë të mallrave mes dy vendeve që mund të sjellë një lehtësim i mëtejshëm i procedurave të kontrollit.  

Përfaqësuesit e dy autoriteteve nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të unifikimit të procedurave në PIK-e. Por pa anashkaluar edhe problematikën që haset aktualisht në formatet e certifikatave në PIK-e për produktet që kanë anomali, si dhe nje sërë praktikash të tjera në lidhje me gjurmueshmërinë e produktit.

Kjo marrëveshje Shqipëri-Kosovë, që pritet ende të nënshkruhet, është e bazuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA (Central European Free Trade Agreement), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?