Kronikë

Shpëtoi ariun e murrmë në Kukës nga laku, Hoxha për Report Tv: Ishte dehidratuar, edhe pse i lodhur ishte i rrezikshëm

30 Korrik 2021, 21:25| Përditesimi: 30 Korrik 2021, 21:46

  • Share

Shpëtimtari Bledi Hoxha ka dhënë detaje në Report Tv për shpëtimin e ariut të murrmë në Kukës nga laku. Së bashku me grupin e tij ai zbriti në fshatin Xhaferraj pas njoftimit që morën nga banorët e zonës. I zënë prej tre ditësh në lak, Hoxha u shpreh se ariu ishte i dehidratuar pasi kishte qëndruar pa ujë e pa ushqim. Ndër të tjera ai shtoi se terreni i vështirë ua vështirësoi punën për shpëtimin e ariut, por u arrit që të finalizohej me sukses.

"Lajmin e parë e morëm nga banorët e zonës të cilët na kontaktuan në FB. Menjëherë pasi morëm lajmin filluam organizimin duke kontaktuar autoritetet vendore të cilat janë përgjegjësie për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Kukës. Banorët e zonës na njoftuan shumë vonë, pasi ariu ishte kapur në lak prej ditës së hënë. Pasi e morëm lajmin, përpjekjet u bënë maksimale, gjithë aktiviteti u zhvillua duke marrë pjesë përfaqësues nga qendra e Rehabilitimit të rinjve në Prishtinë apo Grupi për Shpëtimin e Jetës së Egër në Shqipëri. Ariun e gjetëm në një situatë shumë të lodhur, komplet të dehidratuar, pasi kishte qëndruar prej kohësh në kurth pa ushqim dhe pa ujë. Morëm informacion rreth pozicionit, nga banorët morëm vesh që ariu ishte jo shumë larg fshatit Xhaferraj në Qarkun e Kukësit. Ariu ishte kapur në lak diku 200-300 metra larg vendlindjes ku ne e gjetëm, dhe më pas ai mund të jetë rrëzuar dhe ka përfunduar në përrua. Terreni i vështirë na e vështirësoi punën, por arritëm që ariu të shpëtohej nga kurthi. Patëm ndihmë edhe nga banorët e zonës", u shpreh Hoxha.

Fillimisht Hoxha shpjegoi se ariut iu bë ndërhyrja me anestezi sepse ariu ishte i rrezikshëm pavarësisht faktit që ishte i lodhur. Pas mjekimit të plagëve, ku sipas Hoxhës njëra prej tyre ishte më e madhe, ariu është lënë i lirë. Menaxheri i njërit prej grupeve të shpëtimit tha se ariu do ta ketë të vështirë ta marrë veten, por do jetë në gjendje t'i kthehet gjendjes normale.

"Po nga momenti që arritëm në vendndodhje, iu bë ndërhyrja  e parë më anestezi. Kafsha u vendos në gjumë të thellë, pasi edhe përse ishte i lodhur ishte e rrezikshme ti afroheshe. Pastaj puna kaloi në pastrimin e plagëve, u kontrollua gjithë gjendja shëndetësore e kafshës, u pan të plagët e hapura në trup, një nga plagë ishte shumë serioze, ku e gjetëm pas shpatullës së këmbës së parë të djathtës, pasi aty ishte kap nga laku. Pasi u bë mjekimi dhe pastrimi i plagës, ndoqëm procedurat ë ta zgjuar kafshën dhe u siguruam që gjendja e saj ishte në përmirësim. U siguruam që kafsha reagoi dhe bëri lëvizje. Kafsha do ta ketë të vështirë të rikuperojë plagën, por mund t'ia dalë suksesshëm dhe të jetë në gjendje të kryeje aktivitetin e tij", vijoi Hoxha.

I pyetur nëse në këtë ngjarje ka ndikuar dora e njeriut, menaxheri i projektit PPNA, Bledi Hoxha tha se është vendosur kurth me qëllim për të kapur ndonjë kafshë tjetër, por ariu i murrmë ka rënë në lak aksidentalisht. Sipas tij, ky aktivitet që ndodh nga dora e njeriut është i paligjshëm dhe përbën një vepër penale.

"Nuk ka mënyrë të tjetër sesi të përfundoj ariu në atë lloj situate. Është vendosur në kurth me qëllim për të kapur një kafshë të caktuar, mund të jetë vendosur dhe për lloje të tjera si derri i egër apo kaprolli, por duke qenë se ariu ishte në moshë të re dhe nga masat trupore jo shumë i madh, u kap në kurth. Ky është një aktivitet i paligjshëm që ndodh ndaj jetës së egër, vendosja e kurtheve, vrasja e tyre apo tregtimi i tyre është i ndaluar me ligj, përbën një vepër penale. Aktivitet tërësisht i paligjshëm që ndodh nga dora e njeriut", tha Hoxha.

Ndër të tjera Hoxha theksoi se ariu i murrme mbrohet me ligj pasi është qenie në rrezik zhdukjeje. Në të gjithë vendin tonë, mund të jetojnë diku tej 150 arinj të murrmë dhe humbja e një prej tyre shkakton dëme në popullatë.

"Ariu listohet në listën e kuqe të llojeve në Shqipëri ndërkohë pavarësisht se mbrohet nga ligji shqiptar, ai mbrohet edhe në nivel ndërkombëtar si konventa e Bernës apo nga Direktiva e Habitateve . Në të gjithë Shqipërinë mendohet se popullata e tij është vlunerabël, mund të jetojnë diku tek 150 individë dhe qoftë humbja  e një individi shkakton dëme serioze në popullatën e ariut", u shpreh Hoxha.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ju duken të sigurta kushtet e rrugëve në Shqipëri?