Shpërndan bukë falas, bukëpjekësi shqiptar në Bergamo: Është në kulturën tonë të ndihmojmë në vështirësi

9 Prill 2020, 18:48| Përditesimi: 9 Prill 2020, 20:18

  • Share

Në këto ditë të vështira ku e gjithë bota po lëngon nga koronavirusi, ajo që bie në sy dhe dalin në sipërfaqe janë veprimet humanitare dhe gjestet e solidaritetit. Një e tillë është edhe nisma e shqiptarit bukëpjekës në Bergamo të Italisë, zona më e prekur nga koronavirusi, për të shpërndarë bukë falas për personat që kanë nevojë.

Në një lidhje me skype për Report TV, Gazjon Skuqi, bukëpjekësi shqiptar, ka vendosur 'të flasë me duar' për të shprehur ndihmën e tij përmes bërjes së bukëve dhe shpërndarjes së tyre falas për njerëzit në nevojë. Për këtë nisëm, Skuqi ka marrë dhe përgëzime nga Vatikani, ndërsa vetë ai shprehet se gjithçka që bën është në kuadër të vlerave të shqiptarit 'nëse ke nevojë, ne jemi aty për të ndihmuar'.

"Nuk jemi duke bërë asgjë, jemi duke u kthyer respektin e këtij qyteti që na ka mirëpritur. Kultura  jonë e ka zakon se kur njerëzit që na rrethojnë janë në vështirësi, ne t'i japim një dorë" ka thënë bukëpjekësi shqiptar i cili ndodhet në Itali prej 15 vitesh dhe gjithmonë ka ndjerë mikpritjen e italianëve.

"Shumica pranojnë solidaritetin, por ka dhe nga ata që kanë dëshirë të paguajnë dhe atë bukë falas t'ia lënë dikujt tjetër që ka më shumë nevojë. Në Bergamo ka shumë shqiptarë dhe të gjithë janë ndjerë të mirëpritur nga Italianët. Në përgjithësi Italia i njeh vlerat e shqiptarit dhe na respekton dhe madje dhe ata kanë një shprehje për të gjithë shqiptarët "Nëse ke nevojë, shqiptarët janë të parët që vijnë në ndihmë' dhe kjo na kënaq. Për këtë nisëm na kanë marrë dhe nga Vatikani për të na përgëzuar", shprehet Gazjoni, i cili ashtu siç ka dhe emrin, kërkon të shpërndajë vetëm 'gaz e hare' në këto kohë të vështira, ndërsa bën thirrjen për gjithë të tjerët të ndihmojnë sadopak, pasi 'kur të gjithë mundohemi nga pak bëhet një ndihmë e madhe".

Në fund, Skuqi bëri dhe një apel për respektimin e masave për fitimin e betejës, pasi në të kundërt do i bëjmë dëm vetëm vetes tonë.

"Situata është alarmante, por ne duhet të bëjmë punën tonë duke treguar kujdes dhe të rrimë në shtëpi. Ruani njerëzit e familjes dhe mos dilni jashtë, kjo është gjithçka që mund të bëjmë. Mos mendoni se po ju shek kush dhe nuk po merrni gjobë e dilni fshehurazi, vetëm vetes do i bëni dëm", tha Skuqi.

Në Italia janë shënuar gjithsej 18 279 viktima, janë shëruar 28 470 pacientë dhe kanë një total prej 143 626 të prekurish që nga fillimi i epidemisë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?