Erion Veliaj

Shpërndahen banesat në lagjen e re në Pezë, Veliaj: Shumë shpejt shorti për shtëpitë në Kombinat

17 Shkurt, 17:48| Përditesimi: 17 Shkurt, 22:13

  • Share

Pas katër shkollave të reja, Pezës i është shtuar edhe një lagje e re, me 25 banesa, ku janë strehuar familjet e prekura nga tërmeti i 2019. E pajisur me infrastrukturën e nevojshme publike si rrugë, kanalizime dhe ndriçim, lagjia e re e ndërtuar nga bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Fondacionin “Firdeus”, i afron familjet që banojnë në këto godina më pranë shërbimeve.

Në shpërndarjen e banesave të reja në Pezë, morën pjesë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS në zonë, Toni Gogu dhe drejtuesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi.

Veliaj u shpreh se ky moment është një mundësi dhe fillim i ri për të gjithë komunitetin.

“Këtu kemi ndërtuar një komunitet sepse akti i strehimit është vetëm fillimi. Fëmijët që tani shkojnë në shkollat e reja që kemi ndërtuar në Pezë: një në Pezë të Madhe, një në Pezë të Vogël, në Pezë Helmes, dhe në Pojan. Por, lajmi i mirë është se askush nuk e ka humbur pronën që ka në Gjysulkonjë ose fshatra të tjerë të largët. E ka gjithmonë mundësinë ta kultivojë atë ekonomi të vogël modeste. Ndaj, vlerën më të madhe sot e shoh jo te kjo që po na sheh syri, por tek ajo që na sheh zemra dhe mendja, se çfarë realitetesh prodhohen kur fëmijët jetojnë pranë shkollave të reja, pranë ambulancës, pranë konsultores, pranë rrugës kryesore, që të lidh me Tiranën dhe Durrësin. Sot kemi bërë vërtet një punë të dobishme”, tha ai.

Ai siguroi se këtë vit do të mbyllet procesi i rindërtimit edhe në zonën urbane.

“Ne do të vazhdojmë punën sepse duam që këtë vit ta mbyllim përfundimisht procesin e rindërtimit edhe në zonën urbane. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë futur në banesat e “5 Majit”. Shumë shpejt do të hedhim shortin edhe për banesat e Kombinatit. Nuk jam tip që ankohem, por kemi pasur sfida të jashtëzakonshme, përfshi edhe hapësirën këtu ku jemi sot, e cila duket sikur ishte një tokë bosh, duke filluar me historitë e shpronësimit, te ato të ndërtimeve pa leje, te historitë e hartave të mbivendosura, apo historitë e gjyqeve, ndonjëherë brenda familjes”, shtoi ai.

Deputeti i PS, Toni Gogu, u shpreh se Peza, përveç banesave më të bukura, sot ka edhe një komunitet më solidar.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e veçantë. Kulminacioni i një ushtrimi të durueshëm, solidar, ku kemi bashkëpunuar të gjithë së bashku, për t’u përballur me atë ditë fatkeqësie, siç ishte nëntori i 2019-ës. Ju jemi shumë mirënjohës që Bashkia Tiranë, e cila ka mundësuar të gjithë infrastrukturën dhe ka zhvilluar një zonë me standarde, që sot e gjen në mes të kryeqytetit, madje do të thosha edhe më të mira, por edhe miqtë e çmuar të Fondacionit “Firdeus”, të cilët kanë ndihmuar me banesat, me mobilimin e tyre, por do të thosha edhe me një shërbesë shpirtërore që ishte jashtëzakonisht e nevojshme pas traumës që ne si komunitet përjetuam nga tërmeti”,- tha Gogu.

Drejtuesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës edhe në nisma të tjera, në ndihmë të familjeve në nevojë.

“Bashkia e Tiranës është marrë me infrastrukturën, Fondacioni “Firdeus” ka dhënë buxhetin për të ndërtuar shtëpitë, dhe kishim mundësi që edhe t’i mobilonim ato, sepse familjet të cilat kanë hyrë në këto shtëpi, janë familje me të vërtetë në një nevojë shumë të madhe. Po bisedonim me kryetarin e bashkisë, që të shikojmë edhe për më tej, se ky është misioni ynë dhe kjo është ajo që dëshirojmë. Unë e di se dera e bashkisë është e hapur, ju trokisni aty, por po ju them si vëllai juaj, po ju them si shqiptar i juaji, që edhe dera e Fondacionit “Firdeus” është gjithmonë e hapur”,- u shpreh Naçi.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?