Fundim Dollaku dhe Marius Shahini

Manipulimi i zgjedhjeve në futboll/ Vihet nën hetim kryetari dhe anëtari i Shoqatës Erzeni, falsifikuan firmat dhe votuan në emër të Bashkisë së Shijakut

20 Janar 2022, 09:13| Përditesimi: 20 Janar 2022, 11:37

  • Share

DURRËS- Manipulimi i zgjedhjeve në futboll ka përfunduar me dy persona të vënë në hetim. Report Tv ka mësuar zyrtarisht se janë vënë në hetim kryetari i Shoqatës FK Erzeni, Marius Shahini si edhe anëtari Fundim Dollaku. Shahini dhe Dollaku kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit Erzeni, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak në zgjedhjet për shoqatën rajonale të futbollit të Durrës.

"Shpërdoruan detyrën dhe kompetencat, procedohen penalisht kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar Durrës proceduan penalisht shtetasit M. Sh., me detyrë kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni dhe F. D., anëtar i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, për veprat penale "Mashtrimi", "Shpërdorimi i kompetencave" dhe "Shpërdorimi i detyrës". Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që shtetasit M. Sh. dhe F. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale", njofton policia. 

Si u manipulua votimi?
Marius Shahini dhe Fundim Dollaku përfaqësuan shoqatën Erzeni pa lejen e drejtuesve të Bashkisë Shijak. Dollaku votoi në Asamblenë e Shoqatës së Durrësit në vend të Altion Keçit, i deleguari i Bashkisë Shijak. Report Tv zotëroi dokumentin që faktonte që në emër të bashkisë do votonte i përzgjedhuri Altion Keçi, që është drejtor i klubit shumësportësh të Erzenit dhe i mandatuar nga kryebashkiaku Elton Arbana. Por çështja përfundoi deri në dyert e prokurorisë, pasi Altion Keçi bëri kallëzim në organin e akuzës në Durrës për falsifikim dhe mashtrim ndaj Dollakut që u hoq si drejtor i klubit të Erzenit. Manipulimi nuk ishte i rastësishëm. Fundim Dollaku u zgjodh nga anëtarët e Shoqatës së Durrësit, si një nga 3 delegatët me të drejtë vote që kjo shoqatë ka për zgjedhjet në kreun e FSHF-së. Pra një manipulim që haptazi tregon se është bërë për të siguruar një votë më shumë për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka që ashtu si shoqatat, nuk ka një datë të caktuar kur do mbahen.

Kallëzimi Penal i Altion Keçit

 

 

Dokumentacioni e siguruara nga Report Tv që vërtetojnë falsifikimin e firmës

Ora 10:11
Në hetim për skandalin e manipulimeve të zgjedhjeve në futboll, kush është Marius Shahini...ish-drejtuesi i PD-së në Shijak që u bë drejtori i IMT-së

1642670218_mariusshahini.jpg

Kryetari i Shoqatës FK Erzeni, Marius Shahini, sot i vënë në hetim si person i cili ka shpërdoruar detyrën dhe kompetencat lidhur me manipulimin e zgjedhjeve në futboll, më herët ka mbajtur postin e kreut të Inspektoratit të Mbrojtjes dhe Territorit. Pikërisht kur ka qenë në krye të këtij Inspektorati, ai është arrestuar po për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” pasi së bashku me zyrtarë të tjerë të policisë, favorizuan biznesmenët të ndërtojnë pa leje, falsifikuan dokumentet, nuk raportuan ngjarjet kriminale, dhe më tej akoma, fshehën kallëzimet e bërë nga qytetarë të ndryshëm për abuzimet që po ndodhnin në këto zona me ndërtimet pa leje. Profesioni i tij është dirigjent dhe ka mbaruar Akademinë e Arteve, e ndërsa më herët ka qenë drejtues i Partisë Demokratike të qytetit.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?