Shoqërimi i gazetarit të Report Tv në Lezhë, reagon Këshilli i Europës: Ende asnjë reagim nga shteti

25 Qershor 2020, 09:56| Përditesimi: 25 Qershor 2020, 10:08

  • Share

Këshilli i Europës ka reaguar në lidhje me shoqërimin nga policia të gazetarit të Report TV, Elvis Hila në 17 qershor, teksa po raporton për situatën e prishjeve të ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetare të Lezhës.

Këshilli i Europës thotë se për ngjarjen nuk ka ende një reagim nga shteti. 

"Rreth orës 17:00, ndërsa po filmonte një mosmarrëveshje midis njërit prej pronarëve të pasurive dhe autoriteteve, Hilës iu afrua shefi i Policisë Lezhë, i cili kërkoi identifikimin e tij. Pavarësisht se deklaroi qartë se ishte gazetar, oficeri mori telefonin nga duart e tij, duke bërtitur: "Çfarë gazetari je?" më pas ai u arrestua. Videot tregojnë se ai u shoqërua nga dy policë dhe u arrestua brenda një automjeti policie, ku u mbajt për 10 minuta. Ai u la i lirë pas protestave nga gazetarë të tjerë në vendngjarje", thotë për ngjarjen Këshilli i Europës.

Këshilli citon gazetarin Hila i cili ka thënë: "Kolegët e mi filmuan gjithë skenën dhe kërkuan arsyetimin e largimit tim, por asnjë shpjegim nuk u dha."

Sipas Rrjetit SafeJournalists, as Ministria e Brendshme dhe as Policia e Shtetit nuk e komentuan ngjarjen. Gazetari parashtroi një ankesë dhe tha se ai planifikon të kërkojë rekurs juridik. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka filluar një hetim dhe ka marrë dëshminë nga gazetari dhe oficerët e policisë të pranishëm në vendngjarje. Ndërsa Unioni i Gazetarëve Shqiptar dënoi rastet e përsëritura të dhunës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?