Shkrimet për Shkëlzenin, Berisha
kërcënon gazetarin Carlo Bollino

8 Shkurt 2017, 21:08| Përditesimi:

  • Share
Ish-kryeministri Sali Berisha kërcënon hapur gazetarët që nuk arrin t’i kontrollojë. Sot, me një status në Facebook, kërcënoi gazetarin italian Carlo Bollino, duke i kërkuar Prokurorisë ta hetojë.
 
Si zakonisht, Berisha i bazon akuzat e tij mbi shpifje, në këtë rast mbi shpifjet e ish-drejtorit të Muzeut Kombëtar, Melsi Labi, i cili, në një intervistë për portalin e gazetares Rudina Xhunga, akuzoi ministren e Kulturës Mirela Kumbaro se ka dhënë miliona euro për Bunk’Artin.
 
Deklaratë kjo, që u përgënjeshtrua fillimisht nga organizatorët e Bunk’Artit - që është kuruar nga Carlo Bollino – dhe më pas nga vetë Melsi Labi, i cili dje, pasi mori vesh se ishte shkarkuar nga ministrja e Kulturës për “papërgjegjshmëri në punë”, deklaroi se nuk i ka bërë kurrë ato akuza kundër Bunk’Artit dhe, sipas tij, ato i kishte sajuar portali i Xhungës.
 
Por Berishës nuk i bëhet vonë nga e gjithë kjo. Për të ka rëndësi fakti që tek Shqiptarja.com sot, ndër lajmet më të lexuara, është një artikull kundër Shkëlzen Berishës dhe aferave të tij miliardëshe.
 
Mjafton kjo, që doktori, i verbuar nga inati dhe nga frika, të lëshohet nga zinxhirët, duke tentuar t’u mbyllë gojën (me kërcënime) atyre mediave dhe atyre gazetarëve që, në të kundërt, luftojnë për një magjistraturë të pavarur dhe në betejën kundër korrupsionit.
 
Duke përdorur edhe një herë një lajm të rremë, kërcënon Carlo Bollinon. Nesër do ta ketë rradhën dikush tjetër. (Por, për vëllain e Melsi Labit, tani në proces gjyqësor i akuzuar për korrupsion, kushedi pse Berisha nuk ka asgjë për të thënë).   


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?