Nuk ndalen vdekjet nga 'COVID-19' në Kinë, në 24 orë 116 viktima, sakrifikohen 6 mjekë, akademikët hapin 'Kutinë e Pandorës'

14 Shkurt 2020, 06:50| Përditesimi: 14 Shkurt 2020, 15:08

  • Share

Ka arritur në më 64 mijë e 437 persona numri i rasteve të konfirmuara pozitivisht me koronavirus, pasi Kina raportoi një tjetër rritje të madhe të numrit të të infektuarve në epiqendrën e shpërthimit të virusit.

Po ashtu, më shumë se 100 persona janë konfirmuar të vdekur nga virusi, i njohur zyrtarisht si Covid-19, në provincën Hubei të Kinës - duke rritur numrin global të vdekjeve në një mijë e 383 gjatë 24 orëve të fundit.

Autoritetet shëndetësore kineze konfirmuan 5  mijë e 90 raste të reja në të gjithë vendin. Kjo është një sulm i madh, por askund afër 14 mijë e 840 raste të reja të raportuara të enjten – që ishte edhe rritja më e madhe një-ditore që nga fillimi i epidemisë.

Sistemi shëndetësor në Hubei, veçanërisht në kryeqytetin Wuhan, ku filloi shpërthimi, po lufton për të trajtuar fluksin e pacientëve, madje edhe me ndihmën e disa spitaleve të ndërtuara me qëllim të përkushtuar për trajtimin e Covid-19. Autoritetet provinciale thanë se ka arritur në një mijë e 685 numri I personave të cilët janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa më shumë se 6.723 pacientë në Kinë janë rikuperuar dhe janë shkarkuar që prej fillimit të shpërthimit.

Ora 15:57
Londër, bllokohen tetë aeroplanë në aeroportin 'Heathrow', pasi dyshohet për pasagjerë të infektuar me koronavirus

Udhëtarëve të fluturimin 901 të ‘United Airlines’ të cilët ishin gati të ngjisnin shkallët e avionit, iu është kërkuar të qëndrojnë në pistë pasi dyshohej se në shtatë avionë të tjerë ka raste të dyshuara të personave të infektuar me koronavirus.

Sipas ‘Daily Mail Online’, nga një prej avionëve të bllokuar u zbrit një person i dyshuar i infektuar i cili u shoqërua nga ekipet mjekësore për tju nënshtruar testeve.

Bllokimi i sotëm tregon shqetësimin në rritje që virusi po u shkakton udhëtarëve nëpër botë.

Zyrtarët e shëndetit publik në Britani dhe ata që operojnë në aeroportin e Heathrow deri më tani kanë refuzuar të lëshojnë informacione mbi situatën e krijuar, në të cilën u përfshinë qindra udhëtarë.

Mbretëria e Bashkuar prej disa ditësh ka ngritur alarmin e kuq për epideminë e virusit kinez teksa edhe sot u njoftua se, sipas ‘Daily Mail’, një nga nëntë personat e konfirmuar të infektuar nga koronavirusi në Britaninë e Madhe, përpara se të konstatohej i prekur nga sëmundja, ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga ‘Westminster’, Parlamenti britanik.

Prania e pacientit në konferencë ka ngjallur frikë midis qindra njerëzve.

Mjekët kanë paralajmëruar përmes  email-eve rreth 200 pjesëmarrës në konferencë të vetëizolohen në rast se do shfaqin temperaturë dhe ethe.

Po sipas 'Daily Mail', vetëm dje 750 britanikë u testuan për koronavirus pasi paniku mbi epideminë është  intensifikuar në të gjithë vendin.

Ora 15:54
Psikoza e koronavirusit, masakrojnë në rrugë qentë dhe macet pasi besojnë se janë burim i infeksionit

Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetit konfirmon se nuk ka prova të mundësisë që koronavirusi Covid-19 mund të përhapet nga mace dhe qen, lajmet e këqija vijnë nga shumë pjesë të Kinës për kafshët shtëpiake. Dhjetëra qen dhe mace janë vrarë në rrugë, të goditur nga skuadrilje kineze, shumë prej tyre zyrtarë, të armatosur me shkopinj.

Lajmi vjen nga ‘Chengdu Pet Adaptation Platform’, e cila përmes ‘DailyMail’ ka publikuar imazhe të asaj që po ndodh këto ditë në Kinë.

Episodet, shqetësuese filluan pasi në një intervistë në një gazetë lokale, një mjek tha se ishte i sigurt se infeksioni i koronavirusit kishte ardhur pikërisht nga kafshët shtëpiake tani viktima, qentë dhe macet.

Lajmi nxiti gjithashtu braktisjen e kafshëve shtëpiake në rrugë, në disa raste, edhe duke i hedhur ato nga dritaret e ndërtesave shumëkatëshe të apartamenteve.

Për OBSH, “Për momentin nuk ka prova të mundësisë që koronavirusi i ri mund të përhapet nga kafshët shtëpiake si qen dhe mace, por në çdo rast është praktikë e mirë që gjithmonë të lani duart për të shmangur një seri të mikrobeve pas kontaktit me kafshët. Kjo na mbron kundër baktereve të ndryshme e të zakonshme si Escherichia Coli dhe Salmonella, të cilat mund të përhapen midis kafshëve dhe njerëzve".

Ora 14:05
Organizatorët e maratonës së Tokios vendosin: Kinezët nuk do lejohen të marrin pjesë, maska për ndjekësit e eventit

Organizatorët e maratonës që do të zhvillohet në Tokio në kuadër të Olimpiadës, kanë vendosur që vrapuesit kinezë të maratonës të shtyjnë pjesëmarrjen e tyre në mënyrë vullnetare dhe banorët kinezë që duan të ndjekin evenimentin sportiv nuk do të lejohen të hyjnë në Japoni.

Ditët e fundit organizatorët kanë njoftuar një seri masash paraprake të jashtëzakonshme si dezinfektimin e duarve në të gjitha hapësirat publike dhe shpërndarjen e maska ​​para dhe pas garës. Nuk mund ende të imagjinohet se si grupet e vrapuesve do të dezinfektojnë duart gjatë 42 km të garës apo nëse ata që do të ndjekin eventin do të mund të jenë korrekt karshi rregullave dhe do të përdorin maska.

Niveli i frikës prej infeksionit të koronavirusit në Japoni po rritet dukshëm. Nga njëra anë prej rasteve të konstatuara në tragetin ‘Diamond Princess’, i bllokuar në karantinë në gjirin e Yokohama dhe nga ana tjetër prej rasteve të konstatuara në vend.

Si përfundim, maratona e Tokios do të jetë plot maska dhe pa vrapues që banojnë në Kinë.

Ora 14:00
Koronavirusi, kërkohet vaksinë edhe për turizmin e prekur nga epidemia në Itali, Greqi dhe Spanjë

Dhe ndërsa kriza prej koronavirusit po ndikon fort në ekonominë kineze dhe jo vetëm, prej epidemisë humbjet financiare për linjat ajrore në të gjithë botën llogariten në 5 miliardë dollarë.

Kriza ka tronditur gjithashtu tregun e kapitalit në Kinë sikurse edhe atë në Wall Street, të shqetësuar gjithnjë e më shumë për ndikimin ekonomik të epidemisë së re të koronavirusit.

Shqetësimet për përhapjen e Covid-19 po shkaktojnë pasiguri të madhe në sektorin e turizmit. Anulimet dhe shtyrjet e prenotimeve, pas vendeve të Lindjes së Largët, kanë filluar gjithashtu të godasin vendet europiane, si Greqia dhe Italia.

Në Santorini, një nga ishujt grekë dhe destinacion i preferuar për shumë kinezë, ekziston një lloj efekti domino.

Anulimet e prenotimeve për muajt shkurt-mars arritën në 60-70% dhe ekziston frika se për muajin prill ato mund të arrijnë në 100%. Hotelierët thonë se shumë klientë pyesin nëse do ketë kinezë në hotel, dhe nëse përgjigja është po, ata tërheqin prenotimin.

 Agjentët vendas vlerësojnë se humbjet në sektorin e turizmit do të kenë efekt zinxhir në të gjithë ekonominë greke.

Në këtë klimë pasigurie, shoqatat hoteliere greke dhe ato italiane i kanë kërkuar qeverisë të ndërhyjë në mbështetje të sektorit, për të zbutur humbjet dhe kanë ngritur alarmin për krizën që duket se po ndjehet gjithnjë e më afër.

Shoqata Kombëtare e hotelerisë italiane ka paralajmëruar se anulimet e fluturimeve mund të destabilizojnë akoma më shumë ekonominë. Vetëm në Venecia, kriza e zgjatur mund të kushtojë deri 4.5 miliardë euro.

Në Madrid, shumë kinezë kanë vendosur veten në karantinë vullnetare në atë që njihet si ‘chinatown’. Dyqanet janë mbyllur, rrugët gjysmë të shkreta, vetëm disa fenerë kanë mbetur në kujtesë të vitit të ri që shkoi.

Për momentin në Spanjë ka vetëm dy të infektuar në ishujt Balearik, por psikoza është shumë e lartë.

Ora 13:01
Koronavirus në Westminster: një pacient i infektuar shkoi në një konferencë ku morën pjesë 250 persona, përfshirë deputetë

Sipas ‘Daily Mail’, një nga nëntë personat e konfirmuar të infektuar nga koronavirusi në Britaninë e Madhe, përpara se të konstatohej i prekur nga sëmundja, ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga ‘Westminster’, Parlamenti britanik.

Prania e pacientit në konferencë ka ngjallur frikë midis qindra njerëzve.

Mjekët kanë paralajmëruar përmes  email-eve rreth 200 pjesëmarrës në konferencë të vetëizolohen në rast se do shfaqin temperaturë dhe ethe.

Po sipas 'Daily Mail', vetëm dje 750 britanikë u testuan për koronavirus pasi paniku mbi epideminë është  intensifikuar në të gjithë vendin.

Autoritetet shëndetësore në provincën kineze të Hubei kanë njoftuar se në 24 orët e fundit ka patur 116 vdekje nga epidemia e COVID-19 dhe 4.823 raste të reja të infeksionit, kryesisht pacientët të diagnostikuar "klinikisht" pa teste laboratorike, të cilat e kanë rritur numrin total të të infektuarve në 64 437 kurse numri i viktimave që prej fillimit të epidemisë ka shkuar në 1383.

Dje të njëjtat autoritete njoftuan për 242 vdekje dhe mbi 14.800 raste të infeksionit, pasi ndryshuan kriteret e numërimit dhe duke përfshirë pacientë të diagnostikuar vetëm me ndihmën e radiografive në mushkëri.

Zyrtarët e shëndetit në Hubei thanë se ata kishin filluar të numërojnë rastet e diagnostikuara klinikisht për të bërë të mundur që pacientët të trajtohen sa më shpejt, në vend që të presin përgjigjet e testeve laboratorike për të konfirmuar ose jo infektimin prej Covid -19. Ky ndryshim po ngre shqetësimin se kriza e koronavirusit është më serioze sesa tregohet nga autoritetet kineze.

Ora 11:59
Koronavirusi, 6 mjekë të vdekur dhe mijëra të tjerë infektuar në Wuhan, shumë përdorin pelena, mungojnë edhe mjetet mbrojtëse

6 mjekë kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë infektuar në Wuhan.

Mjekët, të cilët kanë kohë duke u përballur me një rrezik të lartë infeksioni për shkak të epidemisë, tani shumë prej tyre janë shndërruar në pacientë. Vetëm në Wuhan, 1,102 mjekë janë konstatuar të infektuar.

Qyteti i 11 milion banorëve ka 398 spitale dhe afro 6,000 klinika komunitare. Sidoqoftë, Komisioni Shëndetësor Komunal i Wuhan ka caktuar nëntë spitale për të trajtuar rastet e koronavirusit kurse 61 spitale të tjera dhe klinikat ambulatore përcaktojnë përmes testeve të infektuarit e mundshëm.

Në disa prej këtyre spitaleve, personeli mjekësor i infektuar përbën një përqindje të konsiderueshme të pacientëve të prekur nga koronavirusi.

Për shembull, 40 punonjës shëndetësorë u infektuan në Spitalin Zhongnan, një nga 61 spitalet që merreshin me rastet e epidemisë, që përfaqësojnë afërsisht 30% të 138 pacientëve të shtruar në spital nga 1 deri më 28 janar.

Në spitalin ‘Wuhan Nr7’, dy të tretat e stafit është infektuar për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse.

Qeveria e Wuhan ka pranuar pmungesën e furnizimeve mjekësore, të tilla si maska, ​syze dhe kostume mbrojtëse. Spitalet e Wuhan kanë kërkuar vazhdimisht ndihmë në mediat sociale, duke kërkuar dhurime shtesë të pajisjeve mbrojtëse, të cilat janë thelbësore për të mbrojtur stafin në frontin e luftës kundër koronavirusit.

Në Weibo, një postim në shtetërorin ‘People Daily’ tregoi personelin mjekësor në një spital të Wuhan duke krijuar pajisje mbrojtëse prej qeseve plastike.

Sipas 'SkyTg24', shumë mjekë madje janë të detyruar të veshin pelena sepse nuk kanë mundësinë të shkojnë në banjë gjatë shërbimit.

Nga 59.900 kostume mbrojtëse që kërkohen çdo ditë, mjekët dhe infermierët e Wuhan kanë vetëm 18.500. Kina ka importuar mbi 300 milion maska ​​dhe afërsisht 3.9 milion kostume mbrojtëse që nga 24 janari dhe Kryqi i Kuq Kinez ka marrë dhurime mbi 900 milion juanë por duket se ato janë të pamjaftueshme kurse mijëra maska të Kryqit të Kuq kinez, zhduken rrugëve teksa nisen drejt spitaleve.

Ora 11:58
Koronavirus në Kinë: Nga gjaku i të shëruarve zhvillohet "plazma e konvulsionit", rezultate premtuese kundër epidemisë

Në kërkim të terapive të dobishme kundër koronavirusit të ri, Kina njofton se ka zhvilluar "plazmën e konvulsionit" nga gjaku i pacientëve të shëruar për trajtimin e njerëzve me ‘Covid-19’. Raportet e Grupit Kombëtar ‘Binot’ në Kinë, thonë se kanë mbledhur plazmë nga disa pacientë të shëruar për të përgatitur produkte terapeutike duke përfshirë plazmën e konvulsionit dhe imunoglobulinat.

Pas "testeve të rrepta të biosigurisë së gjakut" dhe testeve mbi mosaktivizimin e virusit dhe aktivitetin antiviral, studiuesit zhvilluan me sukses plazmën e konvulsionit për trajtimin klinik dhe e përdorën atë për të trajtuar pacientët me sëmundje kritike.

Kompania ka krijuar një ekip ‘ad hoc’ për të përdorur pajisje speciale për të mbledhur plazmë nga pacientët e kuruar në Wuhan. Tre pacientë të sëmurë kritikë në një spital në rrethin Jianghania të Wuhan morën trajtim plazme më 8 shkurt. ‘Aktualisht, më shumë se 10 pacientë me sëmundje kritike kanë marrë trajtim’ – thotë ‘Binot’.

Sipas rezultateve klinike, 12 deri në 24 orë pasi pacientët morën trajtimin, ata treguan një përmirësim të simptomave klinike dhe indekset kryesore inflamatore u ul ndjeshëm. Ekspertët thanë se bazuar në procesin e patologjisë klinike, shumica e pacientëve të trajtuar kanë krijuar antitrupa specifikë ndaj virusit, të cilaët mund të ndihmojnë në vrasjen e tij.

Produkti terapeutik i nxjerrë nga plazma e konvulsionit përbëhet nga gjaku i dhuruar nga pacientët e shëruar, pas inaktivizimit të virusit dhe zbulimit të mikroorganizmave të shumëfishtë patogjenë.

Sipas ekspertëve, terapia me plazmë mund të jetë një strategji efektive për uljen e shkallës së vdekshmërisë së pacientëve.

Kompania dhe Qendra e gjakut Wuhan kanë ftuar pacientët e rikuperuar të dhurojnë plazmë për të ndihmuar pacientët e tjerë që janë ende në rrezik.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?