Shkëlzen Berisha thirret në gjykatë! Më 14 dhjetor djali i Sali Berishës dhe Aldo Bumçi dëshmitarë në gjyqin për masakrën e Gërdecit

7 Dhjetor 2023, 10:14| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 12:55

  • Share

Shkëlzen Berisha do të përballet me Gjykatën e Posaçme dhe prokurorët e SPAK në seancën gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit më 14 dhjetor. Thirrja e tij në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec.

Burime nga Gjykata e Posaçme, thanë se seanca e 14 dhjetorit, do të fillojë në orën 09.00 dhe do të vijojë me pyetjen e shtatë dëshmitarëve. Përveç Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi, para gjykatës do të dalin edhe 5 dëshmitarë të tjerë që ishin planifikuar për seancën e 7 dhjetorit. Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, pritet të japin shpjegime para gjykatës. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila para prokurorëve ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkelzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012. Gjykata e Posaçme, shtyu të enjten zhvillimin e procesit me kërkesë të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili një javë më parë, kishte njoftuar se duhej të ishte në parlament për miratimin e buxhetit. Të njëjtën kërkesë gjykatës ia përsëriti edhe avokati i Mediut, Henrik Ligori, i cili kërkoi që seanca të mos zhvillohet pa praninë e ish-zyrtarit të lartë, i pandehur për shpërdorim detyre”. 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?