Politikë

Ndreu zgjidhet kryetar i Shoqatës së Bashkive: Tërheqje nga kërkesa në 'Kushtetuese' për 30 qershorin? S'merremi me fantazira! Ademi: Vendimi nul, PS tentoi të dëmtojë demokracinë

8 Qershor 2021, 13:34| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 19:43

  • Share

LEZHË- Voltana Ademi është shkarkuar nga posti i kryetares së shoqatës së bashkive të Shqipërisë dhe në vend të saj është zgjedhur kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Zgjedhjet për strukturat drejtuese të kësaj shoqate, u mbajtën pas mbledhjes së jashtëzakonshme të asamblesë të thirrur nga 1\5 e anëtarëve

Mbledhja u zhvillua në qytetin e Lezhës pa praninë e mediave, ndërsa në përfundim të saj kryebashkiaku i Lezhë Pjerin Ndreu tha se kjo shoqatë kishte dy vite që nuk ishte efiçente, ndaj dhe u kërkua mbledhja e jashtëzakonshme e asamblesë.

“Kjo është Asamble e jashtëzakonshme e thirrur nga 1/5 e anëtareve, u mblodh fillimisht Komiteti drejtues i cili mori vendimin për thirrjen e Asamblesë. Morëm pjes ëtë gjithë kryetarët 15 bashkive dhe 15nënkryetar, nga 30 morën pjesë 23 dhe zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës. Shoqata kishte 2 vite që nuk ishte mbledhur dhe nuk vihej në dijeni për asnjë veprim dhe ne kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë. Pas propozimeve dhe votimeve, u zgjodh Kryesia e Asamblesë së Shoqatës, kryetar unë, nënkryetar Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli”, tha Ndreu.

Ndreu mohoi se shkarkimi i Ademit bëhet për të tërhequr padinë në Gjykatën Kushtetuese për  legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30-qershorit 2019-të.

“Nuk merremi me fantazira se ç’thotë Gjykata Kushtetuese. Kjo është një shoqatë që vepron dhe është shoqatë Bashkish jo kryetarësh, kush do kryetar që vjen nesër përfaqësohet në Komitetin drejtues dhe asamble, këtu nuk kanë të bëjnë emra, por Bashkia dhe nuk ka të drejtë askush që ta privatizojë, vendimmarrja është sipas statusit që ka shoqata dhe kjo është e qartë dhe e padiskutueshme", tha ai. 

Këto zhvillime janë konsideruar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, si një manovër për të legjitimuar zgjedhjet vendore të 30-qershorit të vitit 2019-të, çështje e cila do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese me 23-qershor, pas padisë së bërë nga Ademi në cilësinë e kryetarës së shoqatës së bashkive të Shqipërisë. Kujtojmë se në cilësinë e kryetares së shoqatës së bashkive në korrik të vitit 2019 Voltana Ademi ankimoi në Kushtetuese 30 qershorin, duke kërkuar shpalljen e tyre te pavlefshme. 

 

Ora 19:41
'Zgjedhja e Ndreut ishte nul', kryebashkiaku i Lezhës i përgjigjet Ademit: E ke lexuar demokracinë së prapthi, vendimet nuk merren me humorin tënd politik

1606513039_Sequence03.00044809.Still012.jpg

Kryebashkiaku i Partisë Socialiste të Lezhës Pjerin Ndreu i është përgjigjur Voltana Ademit, e cila tha se zgjedhja e tij ishte nul pasi personat që kanë lajmëruar shkarkimin e saj nuk janë anëtarë të shoqatës, por janë anëtarëve të Shoqatës së Autonomisë Vendore, ku bëjnë pjesë 60 bashki që sipas saj urdhërohen nga Edi Rama. Ndreu thotë se aderimi në shoqatë është bërë me vendim të këshilleve bashkiake dhe se çdo kryetar bashkie apo këshilli është anëtar pavarësisht si e ka emrin në kohë të ndryshme.

Ndreu thotë se Ademi e ka lexuar demokracinë së prapthi, sepse ajo thotë që vendimarrja merret me shumicën e anëtareve, dhe jo më humorin e saj politik, që drejton gjoja një shoqate ku na qenke vetëm ti e askush tjetër.

'Nje konfirmim dhe nje pergjigje per kolegen Voltana Ademi,

Sot me pjesmarrjen e 23 anetareve, nga 30, te asmablese se pergjithshme te “Shoqates se Bashkive te Shqiperise” u be mbledhja e jashtezakonshme dhe u zgjodhem drejtuesit e ri!

Zonja Ademi,

-Aderimi ne shoqate eshte bere me vendime te keshillave bashkiake. Cdo kryetar Bashkie apo Keshilli Bashkiak eshte anetar, pavaresisht si e ka emrin ne kohe te ndryshme.

-Mosqenia anetar vendoset po me vendim keshilli bashkiak per secilen Bashki dhe jo nga ju si kryetare.

-Sipas statutit qe ka shoqata, neni 12, jo me pak se 1/5 e anetareve kane te drejte te therrasin asmablene e pergjithshme. Ftesa per asamble ju ka ardhe dhe ju, si gjithe te tjereve! Ne Asamble mori pjese Kryetarja e keshillit Bashkiak Shkoder Brisela Kadia.

-Nje shoqate qe sipas jush ju paska vetem ju kryetare, anetare, nenkryetare, pra vetem nje njeri, nuk e kuptoj se cfare demokracie perfaqeson?!

-Pretendimi qe sipas jush paskeni nje kerkese padi ne Gjykaten Kushtetuese dhe ne nuk jemi te legjitimuar eshte me se paku injorance juridike! Secili prej kryetareve te Bashkive ka nje vendim gjykate qe ka konfirmuar legjimitetin e zgjedhjes se tij, pervec jush qe se keni, por ushtroni detyren.

-Se fundi demokracine e keni lexuar se prapthi, sepse ajo thote qe vendimarrja merret me shumicen e anetareve, dhe jo me humorin tend politik, qe drejton gjoja nje shoqate ku na qenke vetem ti e askuah tjeter!'- shkruan Ndreu.

Ora 14:49
E shkarkuan nga posti i Shoqatës së Bashkive/ Ademi: Vendimi nul, eksponentë të PS tentuan të dëmtojnë demokracinë

1562589953_ademi.jpg

“Tentativë për të kapu demokracinë”, kështu e ka cilësuar Voltana Ademi shkarkimin e saj nga shkarkimi i postit të kryetares së Shoqatës së Bashkive dhe për këtë bën fajtor PS-në. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryebashkiakja e e Shkodrës, Voltana Ademi deklaroi se nuk i njeh zgjedhjet e zhvilluara në Lezhë. Më tej ajo shprehet se "vendimi që do të merret më 23 qershor nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale është një ndër 15 kushtet për çeljen e negociatave dhe ky vendim po pritet me mjaft interes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës.

“Shqyrtimi dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, është një ndër 15 kushtet  që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën.

Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të Partisë Socialistë tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht  Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime te ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë rëndësi madhore për integrimin e vendit tonë. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur për të vijuar deri në fund duke shprehur vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Ademi.

Pak minuta pas reagimit të parë, Volta Ademi ka reaguar sërish duke thënë se ky vendim është nul pasi personat që kanë lajmëruar shkarkimin e saj nuk janë anëtarë të shoqatës, por janë anëtarëve të Shoqatës së Autonomisë Vendore, ku bëjnë pjesë 60 bashki që sipas saj urdhërohen nga Edi Rama.

“Për qytetarët që janë të interesuar për demokracinë në vend dhe rrezikun e lirive të tyre nga një kryeministër autoritarist si Edi Rama, një shpjegim i thjeshtë për të ashtuquajturin shkarkimin tim si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Nuk ka asnjë vendim të ligjshëm shkarkimi. Personat që e kanë lajmëruar ketë vendim nuk janë anëtarë të shoqatës që unë drejtoj. Siç tregon linku më poshtë, ata janë anëtarë të Shoqatës për Autonominë Vendore, e krijuar nga Edi Rama në 2010-ën. Pas votimeve të paligjshme të 30 Qershorit 2019, anëtarë të kësaj shoqate janë të 60 bashkitë që urdhërohen nga Edi Rama. Pra, edhe ato bashki, si Lezha, dikur anëtare të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, janë larguar për t’iu bashkuar shoqatës së PS. Nga pikëpamja ligjore, vendimi i sotëm është nul, nuk ekziston për asnjë institucion serioz. Sigurisht, nuk mund të pranohet si i vlefshëm as nga Gjykata Kushtetuese, ku Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të votimeve të 30 Qershorit 2019”, shkruan Voltana.

Ademi ka postuar një link (kliko këtu) ku shfaqen anëtarët e Shoqatës së Autonomisë Vendore, ku bëjnë pjesë 60 bashki të vendit, përfshirë edhe 15 bashkitë që e shkarkuan sot atë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?