Markelian Kuqo

Liroi të fortin Gert Gjinarari/ KLGJ shkarkon unanimisht nga detyra gjyqtarin Markelian Kuqo! ILD: Në hetim dhe magjistratë të tjerë

10 Dhjetor 2020, 14:21| Përditesimi: 10 Dhjetor 2020, 17:40

  • Share

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor unanimisht ka vendosur shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo. Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, KLGJ pranoi kërkesën e bërë më herët nga ILD, duke vendosur përjashtimin nga sistemi i drejtësisë i gjyqtarit të Korçës me argumentin se ai ka vepruar me dashje dhe në mënyrë të vullnetshme për vendimet e tij duke liruar padrejtësisht nga burgu Gert Gjinararin të dënuar për vrasjen e grupeve rivale më 1997.

"Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disipliore shkarkim nga detyra për gjyqtarin M.K. i Gjykatës së rrethit Korcë. Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin sipas të cilit KLGJ, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Korcës M.K. Në përfundimet mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë Artur Metani argumentoi se veprimet e mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtari kanë cenuar besimin, që magjistrati duhet të përcjellë tek publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit", thuhet në njoftimin zyrtar të ILD-së. 

Hetimet i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndaj Kuqos nisën më 2 prill 2020 dhe zgjatën për 8 muaj me radhë me disa seanca të njëpasnjëshme.

"Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit M.K. më 2 prill 2020, bazuar në një kërkesë të depozituar nga ministri i Drejtësisë, pasi gjyqtari më 14.02.2019 vendosi/urdhëroi lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997. Vendimi për lirimin u rrëzua nga Gjykata e Apelit Korcë gjashtë muaj më vonë", njofton ILD, teksa vetë Kuqo, më herët ka thënë se ka zbatuar vetëm ligjin, duke e quajtur kërksën për shkarkim si të padrejtë.

Megjithatë, Markelian Kuqo nuk është i vetmi gjyqtar "në lupën" e ILD-së. Ky institucion njofton se ka në proces hetimi për vendimmarrje të ngjashme edhe magjistratë të tjerë dhe pas përfundimit të hetimeve do marrë vendimet përkatëse.

"Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet në fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka në proces hetimi për vendimmarrje të ngjashme edhe magjistratë të tjerë dhe pas përfundimit të hetimeve do marrë vendimet përkatëse", përfundon njoftimi. 

 Gert Gjinarari

Ora 17:38
Shkarkimi i gjyqtarit Markelian Kuqo/ Gjonaj: Provë që drejtësia funksionon

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përshëndet vendimin e marrë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për pranimin e kërkesës së ILD-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo. Ministrja Gjonaj shprehet se kjo është 'Një tjetër provë se sistemi i ri i drejtësisë funksion, që nga kërkesa për hetim disiplinor për gjyqtarin nga Ministri i Drejtësisë dhe deri në vendimin unanim të KLGJ-së'.

Ministrja e Drejtësisë, ka reaguar “Përshëndes vendimin e marrë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për pranimin e kërkesës së ILD-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo. Një tjetër provë se sistemi i ri i drejtësisë funksionon, që nga kërkesa për hetim disiplinor për gjyqtarin nga Ministri i Drejtësisë dhe deri në vendimin unanim të KLGJ-së. Inkurajoj Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të vijojë me hetimin e çështjeve në rastet kur gjyqtarë dhe prokurorë cënojnë besimin e publikut me vendimmarrjet e tyre abuzive.“

Ky reagim vjen pas vendimit të marrë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për masën disiplinore shkarkim nga detyra.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?