Sociale

Shiu 'nuk ndal' protestuesit para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve: Qeveria reflektoi për energjinë, por jo për bukën e ushqimet! Mblidhemi sërish të hënën

11 Tetor 2021, 17:14| Përditesimi: 11 Tetor 2021, 19:38

  • Share

Ashtu siç ishte paralajmëruar, një grup qytetarësh u mblodhën për rreth 60 minuta para Kryeministrisë  për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Me çadra në duar, qytetarët qëndruan para Kryeministrisë, duke zhvilluar një protestë të qetë dhe pa incidente. Protesta nisi në orën 17:00, ku qytetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile me radhë, me megafon në dorë, kërkonin uljen e çmimeve të bukës, ushqimeve dhe karburanteve, duke thënë se qeveria duhet të reflektojë për këto produkte njësoj si me çmimin e energjisë, ku nuk vendosi rritje për familjet dhe biznesin e vogël.

Kjo ishte protesta e dytë e zhvilluar nga qytetarët dhe shoqëria civile që kundërshtojnë rritjen e çmimeve të bukës, karburanteve dhe produkteve të shportës, pasi rrogat e shqiptarëve nuk i përballojnë dot ato.  

Aktivisti Adriatik Lapaj tha se protesta vijon për rritjen e çmimit të bukës dhe ushqimeve të shportës, ndërsa shton se kjo është protestë për drejtësi sociale.

“Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale, për barazi të qytetarëve para ligjit”, tha Lapaj.

Ndërsa protestuesit thanë se qeveria reflektoi për energjinë, por jo për bukën, ushqimet e karburantet.

“Sot ne paguajnë koston e korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë”.

"Jemi sot këtu sepse të gjithë e duam Shqipërinë si Evropa, por vetëm çmimin dhe naftën nuk e kemi si Evropa, të gjithë e duam Shqipërinë si po vetëm ujin e dritat nuk i kemi si Evropa. Hajde të mblidhemi ta bëjmë këtë vend."

"Edi Rama duhet ti dëgjojë zërat sepse ky është Kuvendi i vërtetë i këtij vendi. Kemi ardhur për të njëjtën qëllim, për të ngritur zërin të gjithë së bashku. Do presim reagimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij për tu mbledhur sërish në këtë vend, ditën e hënë, në të njëjtën orë, përpara kryeministrisë."

"Protesta do vazhdojë sepse protesta është i vetmi mjet që ne kemi për të thënë fjalën tonë. Edhe dritaret e kryeministrisë janë të mbyllura. Pranohet që jemi në një krizë, problemi është se kriza është prodhuar këtu brenda për shkak të keqmenaxhimit, jo në Milano as Angli. Sot ishte energjia 200 e ca euro kilovati. Rama thotë se do kemi energji, problemi është këtë energji një pjesë e biznesit do paguajë më shtrenjtë. Nuk është e vërtetë që do rritet për ta e s'do ritet për ne. Ne kërkojmë transparencë. Ku janë kompanitë publike, kanë tre vet pa shpallur bilancet, ku i kanë shpenzimet dhe bilancet", thanë disa nga qytetarët.

Në fund qytetarët vendosën se protesta e radhë do të zhvillohet të hënë tjetër në orën 17:00 para Kryeministrisë. Ndërkohë që ndryshe nga protesta e parë ku disa deputetë të PD ishin aty si qytetarë të thjeshtë, këtë herë nuk kishte asnjë deputet të opozitës të pranishëm.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?