Foto ilustruese

Shit-blerje votash për deputetin Bledion Nallbati në zgjedhjet e 2021, SPAK dërgon për gjykim dy persona

13 Tetor 2023, 09:39| Përditesimi: 13 Tetor 2023, 09:57

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dy persona për shit-blerje votash në zgjedhjet parlamentare të 2021. Bëhet fjalë për Kristo Çollakun dhe Gjergji Butkën, të cilët nga përgjimet e celularëve janë zbuluar teksa flasin për blerje votash. Çollaku bleu vota për llogari të deputetit demokrat, Bledion Nallbati, i cili është zgjedhur deputet në qarkun e Korçës dhe mbante numrin 4 në listën e votimit.  

Kur Gjergji Butka është marrë në pyetje në Prokurorinë e Elbasanit për këtë çështje, ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Por, nga një verifikim të kryer pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prokuroria e Elbasanit ka zbuluar se Gjergji Butka, ka votuar në 25 prill, pranë qendrës së votimit me nr.3636 në shkollën "Sevasti Qiriazi" në Korçë.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 154 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Kristo Çollaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal dhe të pandehurit Gjergji Butka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328/b i K. Penal 

Ky procedim penal është regjistruar më datë 10.07.2023, pas shpalljes së moskompetencës lëndore dhe dërgimit të akteve nga ana e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshmë, Elbasan.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar e provuar që i pandehuri Kristo Çollaku, i ka ofruar të pandehurit Gjergji Butka një shumë monetare e cila është pranuar nga ky i fundit me qëllim për të votuar një kandidat për deputet në Qarkun e Korçës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Prill 2021”, njofton SPAK.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?