SHISH, ndërtim pa leje në
mes të Tiranës e padit Galeria

4 Dhjetor 2013, 06:33| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Një mur i ndërtuar pa leje është ngritur arbitrarisht brenda infrastrukturës së Galerisë Kombëtare të Arteve. Në mënyrë paradoksale ky mur, që nuk gjendet askund i regjistruar, shërben për të rrethuar një institucion të rëndësishëm shtetëror, njërën nga godinat e Shërbimit Informativ në Tiranë.
Drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani, duke parë këtë ndërhyrje arbitrare në territorin e institucionit që ai drejton, i ka bërë kërkesë Bashkisë së Tiranës për prishjen e murit. Kërkesa i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, konkretisht drejtorit të përgjithshëm z. Florian Pustina.

Drejtori i GKA-së ka bërë një kërkesë zyrtare, ku insiston që të prishet muri “si ndërtim i paligjshëm” në territorin e këtij institucioni. Konkretisht në këtë kërkesë shkruhet: “I nderuar z.drejtor i përgjithshëm. Ju bëjmë më dije se në pjesën veriore të godinës së GKA-së është ndërtuar një mur pa leje, i cili prish infrastrukturën e godinës së GKA.Ndodhur në këto kushte ju kërkojmë që të merrni masa të menjëhershme për prishjen e këtij muri të ndërtuar pa leje
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,
Drejtori
Artan Shabani”.

Po kush e administron godinën rreth së cilës është ngritur muri prej territorit të GKA-së. Artan Shabani shprehet se “këtë godinë e ka në administrim SHISH”. Kjo godinë gjendet ngjitur me Galerinë Kombëtare të Arteve.
“Për të rrethuar godinën e SHISH kanë ndërhyrë dhe kanë prishur infrastrukturën e Galerisë Kombëtare. Por derisa ky mur nuk rezulton i ligjshëm dhe nuk i del zot askush, ndërkohë që godina e SHISH figuron e regjistruar (por muri jo), Bashkia dhe institucionet përkatëse le të marrin masa për prishjen e këtij muri”, thotë drejtori i GKA-së.

“Punonjësit e SHISH pretendojnë që kanë një godinë në përgjegjësi, por për murin nuk mbajnë përgjegjësi, -shprehet juristja e institucionit. -Ndaj drejtuesi i Galerisë ka të drejtë t’iu kërkoj bashkisë dhe organeve kompetente për prishjen e këtij muri”. Rreth ambientit të Galerisë Kombëtare nuk ka qenë vetëm ky ndërtim që ka prishur infrastrukturën dhe territoret e saj, por edhe mënyra e mirëmbajtjes së ambienteve të tjera, të cilat nga drejtuesit e mëparshëm të GKA-së janë lënë pas dore.
 
Shabani pastron edhe ferrat pas Galerisë Kombëtare
 
Përveç punëve brenda Galerisë, drejtori i GKA-së Shabani ka nisur që në ditët e para të punës rregullimin e territorit të këtij institucioni. Drejtorit të ri i ka rënë në sy shkatërrimi i ambientit pas galerisë, aty ku ka qenë edhe vendndodhja e disa skulpturave të realizmit socialist që qëndronin në gjendje të mjerueshme dhe të dëmtuara. Madje kishin mbirë fiq të egër në murin e galerisë dhe ferrishte të cilat kishin nisur të shkaktonin plasaritje të murit.
Ndaj që në ditët e para Shabani ka aktivizuar stafin për të prerë dhe hequr çdo mbeturinë nga ambienti i GKA-së, me sëpata, kazma dhe lopata. Mirëpo rregullimi i territorit nuk do të mbaronte këtu.

Pasi e ktheu këtë territor të GKA-së në një park të pastër, përpara i del një mur që ka hyrë arbitrarisht në infrastrukturën e pjesës veriore të godinës së Galerisë Kombëtare të Arteve. “Këtij muri askush nuk po i del zot”, thotë drejtori i GKA-së, ndërsa një nga punonjësit e Galerisë Kombëtare shprehet se “Mënyra sesi mbiu ky mur papritur , duke dëmtuar infrastrukturën e një institucioni në emër të një institucioni tjetër duhej ndaluar nga drejtori i mëparshëm, Rubens Shima, por ai ka qëndruar shumë indiferent në këtë çështje”.

faksimile galeria kombetare
 
 Shkrimi u publikua sot (04.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?