Shfaqja ‘Tri dimrat’, Angjeli: ‘Protesta’ jonë ndaj së padrejtës

28 Shkurt 2022, 16:18| Përditesimi: 28 Shkurt 2022, 16:32

  • Share

Rreth tavolinës që fsheh mbishkrimet e familjeve që e kanë jetuar shtëpinë, sillen personazhet e “Tri dimrave” të vendosur në Zagreb të Kroacisë. Pema familjare, e ngatërresat mes degëve, nuk i shikojnë këto epoka të ndara. Kështu, regjisorja Rozi Kostani, në Teatrin Metropol, përmes mizaskenave e momenteve i filmike, tregon se si e kaluara, jo vetëm dikton të ardhmen, por është prezentë në të tashmen. Në qendër të pjesës së Tena Stiviçiç, personazhi luftarak i Rozës i interpretuar nga Elia Zaharia, vuan Luftën e Dytë. Duket sikur pas ’45, me ardhjen e komunistëve në pushtet, një çelës shtëpie do t’i japë drejtësinë e munguar, por në fakt, pa e ditur, ajo shkon drejt rrënjëve familjare.

Skenat janë gati piktoreske e udhëtimi në të ardhmen bëhet me dekada duke prekur vitet ’90 e 2011-ën. Në to shohim Yllka Mujon, si Mashën, vajzën e Rozës, e cila përpiqet të forcojë unin e saj, e të dalë nga hija e dëshirave të familjarëve. Ndërsa Sokol Angjeli, në rolin e Vllados, përpiqet që familja të mos humbasë rrugën e drejtë.

“E kam pasur shumë afër personazhin. Edhe për dëshirën që kam unë si njeri i shoqërisë civile, për të qenë pjesëtar aktiv në jetën shoqërore, e për  të thënë atë çka arti dhe kultura duan të sjellin për publikun tonë, për të vërtetën, atë çka është e drejtë dhe e bukur. Sepse gjërat janë çatrafilosur në një formë të tillë, ku ajo piramida e vlerave shpesh herë kthehet përmbys. Pra, krijimi i një modeli, i cili të gjithëve tanimë po na bie rëndë në një periudhë 30 vjeçare dhe po na kthehet përballë një model që është shumë i diskutueshëm. Një model që duhet braktisur urgjentisht që shoqëria shqiptare të shërohet...”

Loja impenjative e aktorëve bën që publiku të qëndrojë në pritje. Nuk ka të humbur e as fitues, epokat e sistemet diktojnë rolin. Por, kur presioni i oligarkëve nuk të jep opsion, duket sikur heshtja apo kompromisi mbeten e vetmja zgjidhje.

“Po! Ama protesta bëhet deri në fund. Dhe nga autorja e veprës dhe nga aktorët që impenjohen deri në fund për të thënë se jo çdo gjë që po ndodh tani është e drejtë. Jo çdo gjë që po ndodh duhet të marrë atributet e të ardhmes e perspektivës. Është shumë e dyshimtë sidomos bërja e pasurive të reja, oligarkëve të rinj etj., njerëzve, të cilët për hir të fitimeve thyejnë kodet morale thyejnë çdo gjë, nuk është e drejtë”

Llogaridhënia mund të vijë në një tjetër dimër, pse jo edhe përmes një “Vettingu”. Ndërkaq, martesa si një marrëveshje shpëtimi, nuk e kamuflon dot trishtimin me ngjyra feste. Stiviçiç, e lë mundësinë e hapur. Ndoshta, një tjetër dimër do të pasojë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?