Foto ilustruese

Shënohen sërish shifra të larta infektimesh nga COVID-19 në Kosovë/ 453 raste dhe 4 viktima në 24 orët e fundit

28 Shkurt 2021, 15:36| Përditesimi: 28 Shkurt 2021, 15:38

  • Share

KOSOVË- Në Kosovë gjatë 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 453 persona dhe janë raportuar 4 viktima.

Në raport me ditën e djeshme numri i infektimeve ka pësuar një rritje pasi dje ishin 426 raste të reja me COVID-19, ndërsa për sa i përket viktimave sot është raportuar një më shumë.

Numri i pacientëve të cilët kanë arritur të dalin fitues nga beteja me COVID-19 është 206, gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas IKSHPK-së rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 185 raste, Pejë 39 raste, Prizren 27 raste, Gjakovë 22 raste, Podujevë 22 raste, Gjilan 21 raste, Fushë-Kosovë 17 raste, Mitrovicë 17 raste, Kamenicë 14 raste, Rahovec 13 raste, Vushtrri 12 raste, Klinë 9 raste, Lipjan 9 raste, Ferizaj 7 raste, Drenas 6 raste, Suharekë 6 raste, Deçan 4 raste, Istog 4 raste, Kaçanik 4 raste, Viti 4 raste, Malishevë 3 raste, Obiliq 3 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Kllokot dhe Skenderaj.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (83, 76, 70 vjeç), Skenderaj 1 rast (58 vjeç).

Numri total i infektimeve ka shkuar 69.230, ndërkohë që ai i viktimave është 1.599 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë edhe përditësimet e ditës së sotme.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji. Ai siguroi se procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.

Kohët e fundit në Kosovë është ngritur alarmi pasi në vend janë regjistruar 3 rastet e para pozitive me variantin britanik të COVID-19.

Qeveria në detyrë e Kosovës, pas një shqyrtimi të situatës epidemiologjike në vend vendosi që të lehtësohen masat anti-COVID. Një ndër masat e reja të cilat hynë në fuqi ditën e sotme është heqja e orës policore në ‘zonat e kuqe’ në të gjithë vendin.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?