Pol Pogba futbollisti i Frances

“Shënjestra” e preferuar e kritikëve, Pogba: Në Francë nuk më falin as gabimin më të vogël

20 Qershor 2018, 03:01| Përditesimi: 20 Qershor 2018, 03:02

  • Share

Dy vjet më parë, Pol Pogba thyente “murin” e 100 milionë eurove me kalimin e tij nga Juventusi te Mançester Junajtid dhe nga shumë specialistë të sektorit shihej si një nga mesfushorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Që nga ai moment, duke i ngarkuar edhe përgjegjësi prej fenomeni, statusi i tij në gjirin e ekipit të Francës shpeshherë është vënë në diskutim.

Deshamp dhe shokët e tij i kanë besuar gjithmonë, si në Premier Ligë, ashtu edhe në ndeshjet në kombëtare, por ndaj një personazhi si Pogba, në Francë, të paktën ka një mori shigjetimesh që nuk ndalojnë kurrë. Të shtunën e kaluar me golin kundër Australisë, ai një pjesë të mirë të kritikave i ktheu në duartrokitje. Rrjeta e tij i dha jo vetëm tri pikë “Gjelave”, por edhe pozita më komode në kuadër të vendit të parë në Grupin C.

Gjithmonë në syrin e ciklonit mediatik, Pol Pogba duket se është mësuar me këtë pjesë të profesionit të tij. Duke folur për mënyrën se si e përjeton këtë situatë, mesfushori i “Gjelave” pranoi se nuk është se e vuan shumë, teksa duke plotësuar mendimin e tij deklaroi: “Ajo që mund të them është se ndaj meje ka një tolerancë më të ulët në rastet kur gaboj.

Shpeshherë, sidomos pas transferimit te Mançesteri, më ka ndodhur që nga mesfushori më i mirë në botë të shndërrohem në më të dobëtin ose anasjelltas. Unë shoh anën pozitive, pasi gjithmonë jam zgjedhje e parë, pavarësisht se në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për kritika”

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?