Liljana Cingu (1950-2024)

'Shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore', artistët fjalë zemre për 'Shtojzovallen' e Ansamblit Popullor, talentit që shkëlqeu që 16-vjeçe

5 Shkurt, 21:08| Përditesimi: 5 Shkurt, 22:20

  • Share

Miq dhe kolegë të artistes, "Nderit të Kombit", shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares Liliana Cingu.

"Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, "Mjeshteren e Madhe", "Nderin e Kombit", znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit. Ndërsa përballemi me humbjen e saj, le të kujtojmë dhe të çmojmë kujtimet dhe mësimet që na la "Mbretëresha e valles Shqiptare" Lili Cingu. Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj. Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj.", shkruan valltari Genc Kastrati.

 

"E trishtë ndarja nga jeta e "Mbretëreshës së valles shqiptare", Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t'i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi." shkruan violinistja dhe drejtorja e TKOB, Abigela Voshtina.

 

"Buzëqeshja dhe këshilla jote do të na mungojë shumë! Ke fluturuar gjithë jetën dhe sot hape krahët për fluturimin e fundit! Ti ishe dhe do të mbetesh gjithmonë Perëndesha e valles dhe shëmbëlltyra më e bukur e shpirtit njerëzor! Fat i madh për këtë komb ku lindën figura të tilla, fat i madh për ne që të njohëm e që të kishim afër! Vallëzo në parajsë me yjet e tjerë e madhja dhe e mira Lili Cingu - Nder i Kombit", shprehet Sokol Marsi, drejtor artistik i  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

Liliana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël.

Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë. Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”,  "Oshëtima e maleve", “Dasma e Rugovës", ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte "Luftëtarët e lirisë" me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.

Gjatë trazirave në Shqipëri, në '97-ën, Cingu  u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.


Lajmi kryesor:

Shuhet ‘Mbretëresha e valles shqiptare' Lili Cingu, 'Nder i Kombit'! Valltarja ikonë e Ansamblit Kombëtar


  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?