Kronikë

Vaksinim/ Erida Nelaj për Report Tv: Nesër nisim me vaksinën kineze! Qytetarët nuk mund të zgjedhin cilën duan

27 Mars 2021, 12:47| Përditesimi: 28 Mars 2021, 07:47

  • Share

Shefja  e programit të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj, tha se ditën e nesërme prite të nisë vaksinimi i personave mbi 70-vjeç me vaksinën kineze.

Në një intervistë për "Report Tv", Nelaj u shpreh se dje nisi vaksinimi me vaksinën ruse, Sputnik V ndërsa për atë kineze, Sinovac, tha se do të shpërndahet sot në të gjitha qendrat shëndetësore.

Ajo shtoi se në Tiranë, në stadiumin "Air Albania", prite që nesër të vaksinohen 800 të moshuar.

"Dje dhe sot po shpërndahet në të gjitha njësitë dhe nesër do jetë në të gjitha qendrat shëndetësore. Nga nesër vazhdon deri diku vaksinimi me AstraZeneca,  deri sa të mbarohen dozat, por me të po vaksinohen arsimtarët, ndërkohë po furnizohen qendrat me vaksinën kineze që është dhe më e lehtë sepse është vetëm me një flakon. Nesër do të fillojë vaksinimi me popullatën, mund të kenë mbetur pa vaksinuar arsimtarë apo personel shëndetësorë ata që nuk kanë qenë mirë ose që kanë kaluar COVID. por nuk përjashtohen,  nuk i iku radha, por tani vaksinimi do të jetë më masiv. Vazhdojmë të jemi te mosha 70+ dhe vaksina ruse vijon të jetë për këtë moshë, ka filluar dje te stadiumi "Air Albania". Do të ketë një vaksinim masiv në Tiranë, ku do vaksinohen 800 të moshuar, tashmë fillon masivisht. Objektivi 15 mijë vaksina në ditë arrihet, por duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për persona të moshuar, me persona të rinj mund të ecte shumë më shpejt", tha ajo.

E pyetur nëse qytetarët mund të përzgjedhin se cilën vaksinë duan të marrin, duke patur parasysh se në vendin tonë tashmë kanë ardhur katër vaksina të ndryshme, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac,  Nelaj tha se ata nuk mund të zgjedhin, duke theksuar se e rëndësishme është që të gjithë të vaksinohen.

Po ashtu ajo shtoi se një person që ka marrë dozën e parë të një vaksine, do të marrë dozën e dytë të po asaj vaksine dhe jo një përzierje nga dy vaksina të ndryshme.

"Nuk ka specifika që një grupmoshë do ketë këtë vaksinë, e rëndësishme është të mos lihen pa vaksinuar. E rëndësishme është që ai që merr dozën e parë të një vaksine, do marrin të dytën po atë vaksinë, nuk ka përzierje. Qytetarët nuk mund ta përzgjedhin llojin e vaksinës, është e rëndësishme që ata që thirren për të bërë vaksinën, të shkojnë ta bëjnë. Nuk mund të kemi preferenca dhe as pritje, ne nuk e dimë se kur mund të vijnë. Nesër vaksinimi me vaksinën kineze do të nisi pothuajse në të gjitha qendrat shëndetësore", shtoi Nelaj.

Më 25 mars, në vendin tonë erdhën 192 mijë doza të vaksinës kineze, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri me dije se në total janë siguruar 1 milion doza. Shqipëria ka siguruar deri më tani rreth 90 mijë vaksina Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V.

Procesi i vaksinimit anti-COVID në vend  vijon që prej 11 janarit, në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?