Shefja e misionit të OSBE-ODIHR takohet me Metën! Kreu i PL-së: Ndava me të shqetësimin për qëndrimet e njëanshme të KQZ, krijon tensione

17 Prill 2023, 10:24| Përditesimi: 17 Prill 2023, 14:56

  • Share

TIRANË- Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover ka zhvilluar ditën e sotme një takim në selinë e Partisë së Lirisë me Ilir Metën. Takimi i Glover me Metën vjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore që do të mbahen në 14 maj. 

Pas takimit me Glover, në një shënim në rrjetet sociale, Ilir Meta thotë se ka ndarë me shefen e misionit të Monitorimit të OSBE-ODIRH, shqetësimet që lidhen me zgjedhjet. Meta thekson se i ka shprehur asaj shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Po ashtu Meta thotë se i ka folur edhe për qëndrimin e KQZ-së, që sipas Metës me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

‘Sot prita në një takim shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit, Ambasadoren znj. Audrey Glover. Diskutuam gjerësisht shqetësimet e shumta që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal në 14 maj. Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.

Gjithashtu ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit. I shpreha Ambasadores Glover gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.'- shkruan Meta.

Pas takimit me Ilir Metën, Glover ka takuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.Takimi mes Berishës dhe Glover ka zgjatur rreth 30 minuta.  Në një komunikim për mediat në përfundim të këtij takimi, Berisha tha se ishte një takim informues për zgjedhjet lokale të 14 majit.

“PD e vendosur për të çuar përpara procesin elektoral. Mendoj se zonja Glover ishte në një takim për tu informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD, të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ne paraqitëm të gjithë problematikët”, tha ish-kryeministri.

Ndërkohë që nesër është parashikuar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?