Shefi i Rrugores në qarkun e Korçës tregon akset më të rrezikshme: Përdorni gomat dimërore dhe zinxhirët, evitoni daljet e panevojshme

20 Janar, 15:27| Përditesimi: 20 Janar, 15:59

  • Share

 

 

Shefi i Qarkullimit Rrugor në qarkun e Korçës, Kreshnik Skëndo, duke marrë shkas nga moti i ashpër i cili ka përfshirë këtë qark, u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin gomat dimërore dhe zinxhirët si një masë e domosdoshme.

Ndër të tjera, Skëndo u bëri thirrje qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë, pasi moti ekstrem përbën rrezikshmëri për sigurinë e tyre.

Ai tha se akset më problematike të momentin janë Qafë-Thana, Qafë-Plloça, Qafë-Qari por edhe atraksionet turistike si Dardha dhe Voskopoja.

“Gjithë qarku i Korçës është përfshirë nga reshje me intensitet të lartë dëbore dhe për fatin e mirë deri në këto momente nuk kemi pasur dëme, kemi pasur aksidente të vogla me dëme materiale.

Dua t’u bëj një thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin gomat dimërore, të përdorin zinxhirët për të udhëtuar, të ecin ngadalë, të jenë shumë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme në këtë mot të keq dhe të mos përdorin celularin e aq më tepër pije alkoolike.

Akset më të rrezikshme janë Qafë-Thana, Qafë-Plloça, Qafë-Qari. Të tjerat paraqesin një rrezikshmëri pak më të ulët por jo e nuk janë të rrezikshme.

Firmat kontraktore janë të gjitha në punë. Deri në këto momente kanë kryer me sukses detyrën e tyre. Vazhdojnë të qarkullojnë mjetet dhe nuk ka pasur bllokime në asnjë aks rrugor të qarkut të Korçës. Duhet të përmend edhe Dardhën dhe Voskopojën, ku ka pushues që e frekuentojnë, duhet të kalojnë me zinxhirë dhe goma dimërore.

I gjithë sektori i Policisë Rrugorë në këto momente që ne flasim është 100% në punë dhe do të rrijë me orare të zgjatura deri në tejkalimin e kësaj situate me mot të keq”,- është shprehur Skëndo.


Lajmi kryesor:

Makina të bllokuara nga bora në Iballë, evakuohen pasagjerët! Fushë-Arrëzi në izolim total! Stuhi në mbarë vendin


K.M//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?