Foto ilustruese

Kronikë

Dhunonte gruan dhe djalin, arrestohet polici në Lezhë! Gjykata i pajisë me urdhër mbrojtje (EMRI)

23 Qershor 2021, 14:48| Përditesimi: 23 Qershor 2021, 16:08

  • Share

LEZHË- Uniforma që mbarte e vesh atë me detyrimin që të jetë i pari që zbaton ligji, por një polic në Lezhë e ka shkelur me dy këmbë atë duke shkatërruar familjen e tij. 

Një punonjës policie është arrestua ditën e sotme pasi akuzohet për dhunë në familje. Bëhet fjalë për Nikolin Gjergjin, 53 vjeç, punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Kurbin.

Referuar burimeve ka prova që ai ka dhunuar bashkëshorten e tij dhe djalin, për të cilët është caktuar nga Gjykata dhe urdhër mbrojtjeje. Arrestimi i 53-vjeçarit është bërë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA). Ndaj tij, rëndon akuza për veprën penale “Dhunë në familje”.

"SHÇBA arreston një punonjës policie në Laç, i dyshuar për “Dhunë në familje”. Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër-Lezhë arrestoi sot në flagrancë shtetasin N.GJ., 53 vjeç, punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Kurbin.

Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pas kallzimit për “Dhunë në familje” nga ana e bashkëshortes dhe djalit të tij. Nga ana e specialistëve të SHÇBA u kryen të gjitha verifikimet për rastin në fjalë duke u administruar raporti mjeko-ligjor, si edhe duke i kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për nxjerrjen e urdhërit të mbrojtjes për dy shtetasit.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin. SHÇBA bën thirrje për të denoncuar raste të ngjashme të dhunës brenda familjes nga ana e punonjësve të policisë, në numrin e gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, ose duke u paraqitur pranë zyrave të SHÇBA në çdo Drejtori Vendore të Policisë së Shtetit", njofton Policia. 

Ora 16:01
Sot u arrestua për dhunë në familje, në 2016 efektivi i policisë u plagos në kokë nga një grabitës gjatë një aksioni policor në Kurbin

Report Tv mëson se efektivi i policisë së Kurbinit Nikolin Gjergji, i arrestuar për dhunë në familje, rezulton të jetë plagosur gjatë një operacioni policor në vitin 2016-të.

Policia ishte njoftuar për vjedhjen e një makine të llojit 'Porche' dhe është vënë në ndjekje të autorit. Sapo ka konstatuar se po e ndiqte policia, autori i grabitjes ka qëlluar mbi policinë duke plagosur policin Nikolin Gjergji.

Efektivi i policisë mori një plumb në kokë dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe arriti të shpëtoje. Ngjarja ndodhi me 22 dhjetor të vitit 2016-të në autostradën Milot-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?