SHBA-ja i fut në listë të zezë 10 individë nga Ballkani

16 Nëntor 2023, 16:49| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 16:51

  • Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.

Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq e Nenad Popoviq nga Serbia.

Petar Gjokiq është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.

Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.

Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij "në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë".

Dushko Peroviq është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është më së shumti i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.

Gjokiq dhe Peroviq nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për koment.

Savo Cvijetinoviq, i njohur me pseudonimin "Tigri", është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.

Cvijetinoviq është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?