SHBA-ja dhe Polonia bashkojnë forcat kundër dezinformimit rus në Ukrainë

11 Qershor, 08:51| Përditesimi: 11 Qershor, 08:52

  • Share

Shtetet e Bashkuara dhe Polonia krijuan një grup për të ndihmuar Ukrainën në luftimin e dezinformimit rus, njoftoi Qendra Globale e Angazhimit e Departamentit amerikan të Shtetit.

Qendra Globale e Angazhimit, e cila punon për të nxjerrë në pah dezinformatat nga ato që i konsideron shtete armiqësore, tha se Grupi i përbashkët i Komunikimit për Ukrainën, ose UCG, u formua në Varshavë.

Qëllim i tij është t’i jepet mbështetje Ukrainës “në luftën kundër agresionit të Rusisë në hapësirën e informacionit”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se grupi i ri do t’i bashkojë aleatët “për të koordinuar mesazhet, për të promovuar raportimin e saktë rreth pushtimit rus të Ukrainës, për të përforcuar zërat ukrainas dhe për të ekspozuar manipulimin e informacioneve nga Kremlini”.

Departamenti i Shtetit tha, po ashtu, se Kremlini “përdor gënjeshtra dhe manipulime në mënyrë të përsëritur, për të nxjerrë pretekste të rreme për pushtimin e pajustifikueshëm”, si dhe “për të bërë përpjekje për të prishur solidaritetin mbarëbotëror me popullin ukrainas”.

Kremlini i mohoi pretendimet se përhap dezinformata dhe akuzoi Perëndimin për përfshirje në “terrorizëm informacioni”.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, zyrtarët polakë thonë se Polonia është bërë, gjithashtu, objektiv i sabotazhit dhe masave të tjera përçarëse nga shërbimet sekrete ruse.

Polonia, anëtare e NATO-s, është strehë për një numër të konsiderueshëm refugjatësh ukrainas, të cilët ikën nga vendi i tyre prej se Rusia nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?